Ne rrjet

Pas emigrantëve, Italia do të dëbojë edhe romët?

Ai e ka krahasuar Bashkimin Europian me Titanikun, ka akuzuar të majtët që mbështesin emigracionit se po i trajtojnë refugjatët si skllevër dhe ka mbyllur portet e Italisë për anijet me emigrantë. Por ministri i ri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini shkoi shumë larg këtë javë, kur njoftoi se do të bënte një regjistrim të romëve në Itali, në mënyrë që të dëbonte të gjithë ata që nuk kishin leje qëndrimi të vlefshme. "Po romët italianë? Për fat të keq, do të na duhet t’i mbajmë ", tha Salvini, gjatë një interviste në një stacion televiziv rajonal.

“Të regjistrojmë romët dhe të kontrollojmë fondet publike. Kur këto propozime vijnë nga e majta janë të pranueshme, ndërsa kur vijnë nga unë janë racizëm- shkrunte ministri në faqen e tij në Facebook- Kjo reformë duhet të shkojë përpara, së pari për italianët dhe sigurinë e tyre. "

Reagimi ishte i menjëhershëm. Kryeministri italian, Giuseppe Conte, i cili ndodhej në Berlin për t'u takuar me homologen e tij gjermane Angela Merkel, deklaroi se ministri i brendshëm "kishte shkuar kësaj radhe shumë larg".  Propozimi për regjistrimin e romëve duket se zgjoi kujtime të largëta por ende të hidhura të ligjeve raciste kundër hebrenjve dhe romëve, të imponuara nga qeveria e Musolinit 80 vjet më parë. Salvini, kreu i partisë Lega Nord, konsiderohet  si figura më e fuqishme politike në Itali, madje më shumë sesa kryeministri. Politikani i pavarur duket se u zgjodh nga koalicioni  fitues si lideri i padukshëm i qeverisë italiane.  I njohur për pikëpamjet e tij kundër emigracionit, Salvini pushtoi titujt e medieve botërore kohët e fundit duke refuzuar të lejonte një anije që kishte shpëtuar qindra emigrantë afrikanë, të ankorohej në portet italiane. Ai deklaroi se Italia nuk do të ishte më "kampi i refugjatëve të Europës".

Ministri i ri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini,

Por kësaj radhe objektivi i tij janë romët, janë një popull me origjinë nga Azia Jugore, të cilët emigruan shekuj më parë në Europë, ku shpesh janë përballur me diskriminime nga më të rëndat. Disa kanë jetuar në komuniteteve të vogla, kryesisht të izoluara nga shoqëritë rreth tyre, ndërsa shumë të tjerë kanë tentuar dhe vazhdojnë të tentojnë të integrohen.  Por tanimë romët e Italisë po përgatiten për një valë të re persekutimi. Pak pas deklaratës së Salvinit, Këshilli i Qarkut të Lombardisë miratoi një mocion që propozonte përcaktimin e  vendbanimeve rome me qëllim që të luftonte degradimin urban dhe të garantonte bashkëjetesën civile.  Ngjarje të tjera të kohëve të fundit, duke përfshirë dëbimet e romëve nga kampet në Rimini, Chiavari dhe Romë, por edhe një marshim kundër romëve në Milano, dëshmojnë se Salvini ka mobilizuar një agjendë të egër kundër popullsisë rome në të gjithë vendin . Situata u përkeqësua edhe më shumë kur kryetari i bashkisë së Vincenzës përjashtoi romët nga hapësira të caktuara publike dhe deklaroi se do ta zgjerojë këtë ndalim në të gjithë territorin e komunës.

Salvini mund të presë pak opozitë serioze nga Brukseli, pasi gjatë dekadës së fundit, Komisioni nuk ka ndërmarrë asnjë veprim kundër Italisë për keqtrajtimin e romëve. Organet ndërkombëtare dhe organizatat për të drejtat e njeriut kanë bërë disa herë thirrje për t'i dhënë fund politikave shtypëse dhe për të ndaluar dëbimet e romëve. ERRC, Amnesty dhe organizatat e tjera ofruan prova të konsiderueshme se romët në Itali vazhdojnë të përballen me paragjykime ekstreme që cënojnë dinjitetin personal dhe se kushtet në kampet e izoluara ku mbahen shumica e tyre janë përshkruar nga romët si "një mjedis i frikshëm, armiqësor dhe degradues. "

Pro apo kundër regjistrimit të romëve ?

Carlo Stasolla, presidenti i “Asociazione 21 Luglio”, një organizatë që punon për t'i dhënë fund margjinalizimit të romëve në Itali, tha në një intervistë se nëse Salvini donte të bënte një regjistrim të popullsisë rome, ai duhet të lexonte raportet vjetore që shoqata e tij ka botuar tre vitet e fundit. Sipas Stasollas, Salvini do të mësonte se gjashtë nga shtatë romë  paguajnë taksa  dhe se shumica e tyre jetojnë në shtëpi me qira. “Në Itali, vetëm 26,000 romë jetojnë në kampe, ose zona të veçuara që janë krijuar nga qeveritë e mëparshme ,” tha ai.

Sipas Stasollas, më shumë se 50 përqind e popullatës rome të vendit, diku mes 120,000 dhe 180,000 persona ishin qytetarë italianë. “Pjesa tjetër vijnë janë nga Rumania ose nga ish-Jugosllavia dhe konsiderohen si romë pa shtetësi, kështu që nuk mund të dëbohen," tha ai. Përtej kërcënimeve të Salvinit, zoti Stasolla shprehu shqetësimin se agjenda e qeverisë për romët, e cila që përfshin edhe mbylljen e kampeve të parregullta dhe largimin e fëmijëve nga prindërit romë që nuk i dërgojnë ata në shkolla, mund të shkelin të drejtat themelore të njeriut. "

Komunitetet rome ne Itali

Santino Spinelli, një muzikant i njohur me origjine rome, tha se kishte frikë se regjistrimi i kësaj popullsie mund të kishte pasoja më të zymta. "Shumë italianë as nuk e dinë se romët ishin gjithashtu viktima të racizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore, siç ishin hebrenjtë- u shpreh ai- Tani që ministri i brendshëm ka mbyllur portet e Italisë për njerëzit që ikin nga lufta dhe uria, ai mund të rrisë popullaritetin e tij nëpërmjet gjuetisë së ciganëve”.

Komuniteti hebraik i Italisë ka dënuar gjithashtu lëvizjen e fundit të zotit Salvini, duke publikuar një deklaratë ku theksonte se nuk kishte asnjë justifikim për të regjistruar grupe specifike shoqërore, në mënyrë që të ndërmarren politika speciale sigurie që janë hartuar vetëm për ta. "Propozimi i zotit Salvini për të kryer një regjistrim është shqetësues dhe risjell kujtime të ligjeve raciste dhe masave që u miratuan vetëm 80 vjet më parë, por që fatkeqësisht janë harruar përgjithnjë", thuhet në deklaratë.

Megjithatë propozimi i Salvinit është mbështetur nga një pjesë e mirë e qytetarëve. Shumë italianë kanë komentuar pafund në mediat sociale të zotit Salvini duke e  lavdëruar vendimin e tij.  Stasolla tha se ishte i shqetësuar se mesazhi populist i zotit Salvini ishte duke zënë rrënjë në mesin e italianëve të cilët besojnë se ju mund t'i përgjigjesh të gjitha çështjeve komplekse , duke prerë një “kokë turku".

"Kjo është drama e vërtetë-  tha ai- Populizmi ka infektuar segmente të gjera të popullsisë italiane me një shpejtësi që nuk mund të kishim parashikuar".

Burimet: "La Stampa", "New York Times" 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë