Futboll

Pas eliminimit, te Ajaksi fillon zbrazja nga talentet

Eliminimi dramatik i Ajaksit mbrëmjen e shkuar në gjysmëfinalen e Championsit nga Totenhami, mund të jetë vetëm fillimi i “tragjedisë” për klubin holandez. Talentet që mahnitën botën me lojën e tyre, tashmë presin trenin që do i çojë në një klub të madh, ku mund ta fitojnë trofun “veshgjatë”, por sigurisht edhe rrogat mund t’i marrin shumë të larta. De Jong, De Lajt, Ziek, Nerez, Den Bek, Taljafiko e shumë të tjerë pritet të largohen këtë merkato vere nga Ajaksi. Me përjashtim të të parit, Franki De Jong, që tashmë ka firmosur me Barcelonën dhe duke nisur nga sezoni i ardhshëm do të jetë me Mesin në krah, gjithë të tjerët janë në një ankand të hapur.

Rrugën e De Jong pritet ta ndjekë edhe kapiteni i Ajaksit, Matis De Lajt. 20-vjeçari që ka mahnitur me elegancën, teknikën dhe forcën e tij këtë sezon ndiqet nga klubet më të mëdha të Europës. Barcelona duket të jetë më afër edhe pse Juventus apo edhe Real Madrid kanë treguar interes për të marrë shërbimet e ‘mbrojtësit tulipan’. Kosto e tij në verën e shkuar nuk i kalonte 20 milionë eurot, e ndërsa këtë verë mund të merret nga Ajaksi për jo më pak se 60 milionë euro.

Hakim Ziek që mbrëmjen e shkuar në “Johan Krojf Arena” ishte më i miri në fushë për Ajaksin, ndiqet nga disa ekipe europiane. Marokeni 26-vjeçar si sulmues krahu ndiqet nga Roma dhe Bajerni i Mynihut të cilët po e vëzhgojnë situatën e tij. Pritet që gjatë verës të ketë një ofertë për të në drejtim të Ajaksit. Edhe David Nerez është me valixhe në duar këtë verë. Braziliani që nuk mundi të luante në ndeshjen e fundit gjysmëfinale, pëlqehet shumë nga Çelsi dhe Arsenali. Por edhe Liverpuli dhe PSG kanë shfaqur interesim dhe gjatë verës pritet një betejë e vërtetë për të marrë shërbimet e brazilianit.

Doni Van Den Bek është sulmuesi i së ardhmes për sulmin e kombëtares holandeze. Një nga më të mirët e këtij Ajaksi, ai është në fokusin e Bajernit, Arsenalit, por edhe të PSG. Den Bek ka pësuar një katërfishim të çmimit të tij dhe tashmë të gjitha ekipet që janë të interesuara për shërbimet e tij do duhet të paguajnë të paktën 50 milionë euro. I fundit në këtë listë, por jo më pak i rëndësishmi është argjentinasi, Nikolas Taljafiko. Si mbrojtës krahu ai është një nga më të vlerësuarit për momentin. Atletiko Madrid dhe Inter janë dy ekipet që e kanë ndjekur nga afër situatën e tij dhe gjatë verës do të provojnë t’ia marrin Ajaksit. Çmimi i tij në treg për momentin vërtitet diku te 25 deri në 30 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë