Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Behar Bajrin, i ekstraduar një ditë më parë nga Franca dhe i akuzuar për 7 vepra penale.
Sipas prokurorisë, Behar Bajri akuzohet për organizimin e vrasjes së Gjin Ndoj, plagosjen e Taulant Pepajt dhe planifikimin e disa atentateve të tjera.
Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, gjyqtarja Atalanta Zeqiraj pranoi kërkesën e dy prokurorëve Altin Dumani dhe Arben Krajën, që Behar Bajri të vijoj masa shtrënguese "arrest në burg".
Bajri u ndalua në Strasburg gjatë një operacioni mes Shqipërisë dhe Francës dhe u ekstradua një ditë më parë, më 16 nëntor, me masa të forta sigurie.
Bajri u ndalua ne Francë me 4 shtator. Ai duhet të sillej në Shqipëri mbrëmjen e së mërkurës, por vetëm mëngjesin e së enjtes, ka shkelur tokën shqiptare.
Shkak u bënë arsyet e sigurisë për të mos fluturuar me një avion me pasagjerë civilë, ndaj është sjellë të enjten nga Parisi në Tiranë me një fluturim charter.
Emri i Behar Bajrit doli në bisedat e zbërthyera nga SPAK në aplikacionin Sky. I njohur dhe me mbiemrin Brajoviq, komunikonte me persona te tjerë për realizimin e disa ngjarjeve kriminale të ndodhura vite më parë.
Një prej tyre ishte dhe vrasja e Gjin Boriçit, në Gusht të vitit 2021 në qytetin e Shkodrës. Gjithashtu 43-vjeçari akuzohet edhe si porositës i vrasjes së Ibrahim Licit, Dorian Dulit dhe Genc Tafilit, ekzekutime të cilat nuk u finalizuan.
Në këto komunikime, doli dhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, që sipas SPAK e ndihmoi Bajrin të dalë nga burgu nëpërmjet ryshfetit që i dha prokurorit Xhevahir Lita. Bëhet fjalë për arrestimin në kuadër të operacionit “OAZ” Shtatorin e vitit 2018. Për dosjen "Metamorfoza", janë nën akuzë 14 persona mes të cilëve dhe ish-zyrtarë policie.
Behar Bajri akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për vrasje me paramendim, sigurim të kushteve dhe mjeteve për vrasje, në 3 episode, korrupsion aktiv ndaj gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë dhe armëmbajtje pa leje, vepra këto të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Bajri, i konsideruar si një nga personazhet më të rrezikshme të botës së krimit në Shqipëri, dyshohet gjithashtu se ka vrarë në gjumë partneren e tij 15-vjeçare, Fabiola Bajri dhe shtetasin Arben Tuzi, ngjarje këto të vitit 2002.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.