Kosova

Pas diskutimeve në Shqipëri edhe deputetët e Kosovës sugjerojnë mbylljen e TikTok

Nga Gazeta 'Si' - Pas nisjes së diskutimeve në Tiranë, për mbylljen e rrjetit social Tik Tok, një nismë e prezantuar nga kryeministrit Edi Rama, një gjë e tillë po mendohet dhe nga ligjvënësit në Kosovë.

Në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës është diskutuar mundësia e mbylljes së platformës TikTok, si rezultat i rasteve të fundit të sfidave të rrezikshme.

Komisionerja, Krenare Sogojeva-Dermaku tha se prioritet i agjencisë është mbrojtja e të dhënave personale.

“Forcimi i transparencës dhe llogaridhënies dhe zbatimi i programit të transparencës për publikimin pro-aktiv të informatave dhe dokumenteve nga Institucionet Publike dhe shqyrtimin e ankesave, zhvillimi i Programit të transparencës së Institucioneve Publike që siguron të dhënat e hapura dhe publikimi pro aktiv të dokumenteve publike, realizimi i së drejtës për qasje në dokumente publike përmes shqyrtimit të ankesave të pranuara nga subjektet dhe Monitorimin e institucioneve publike në zbatimin e ligjit”, u shpreh Sogojeva-Dermaku.

Ajo u pyet nga deputetët edhe për mbylljen e rrjetit social Tik-Tok, por shtoi se kjo është politikë qeveritare.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, pyeti kryetaren e AIP-së lidhur me mundësinë që të mbyllen rrjetet sociale, konkretisht TikTok-u.

Rrezikun nga rrjeti social TikTok e përmendi edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha.

“Nëse SHBA ndjehet e rrezikuar nga kjo platformë, atëherë ku e ka fuqinë Kosova dhe sa jemi të pajisur nga këto vërshime të këtyre aplikacioneve që konsiderohen të dëmshme dhe a kemi ndonjë kampanjë ndërgjegjësimi për qytetarë për përdorimin e këtyre aplikacioneve”, u shpreh Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë