Lojëra me Dore

Pas dhunës, akuza për racizëm në basketboll. Kërkohet ndihma e Ambasadës Amerikane

Gazeta Si – Basketbolli shqiptar ka marrë vëmendjen kryesore orët e fundit, jo për aspektin sportiv, por për dhunën që shpërtheu pas derbit të femrave mes Partizanit dhe Tiranës. Dy basketbolliste kundërshtare, një nga të cilat amerikane, u përleshën me grushte, ndërkohë që në parket u futën edhe tifozë, pasi siguria ishte zero.

Reagimet më pas ishin të shumta. Është e qartë se Federata Shqiptare e Basketbollit dhe klubet kanë dështuar në masat organizative, ndërkohë çështja në fjalë rëndohet edhe pas akuzave për racizëm nga klubi i Besëlidhjes në basketboll meshkujsh ndaj lojtarëve të tyre me ngjyrë.

Lezhjanët kanë disa lojtarë amerikanë dhe në finalen e parë me Tiranën pretendojnë se ata janë ndjerë të kërcënuar nga lojtarët dhe tifozët kundërshtarë. “Lojtarët tanë amerikanë kanë kërkuar mbrojtje nga Ambasada Amerikane në Shqipëri, pasi janë ndjerë të kërcënuar nga lojtarët dhe tifozët e Tiranës”, – shkruhet në reagimin e Besëlidhjes.

Sipas klubit lezhjan, përfaqësues të Ambasadaës Amerikane në vendin tonë, pas ankesave të basketbollistëve të tyre dhe basketbollisteve të Partizanit, do të ndjekin nga afër ndeshjet për të monitoruar situatën.

Lezhjanët kërkojnë po ashtu nga FSHB marrjen e masave të duhura organizative dhe një gjykim sa më korrekt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë