Muzike

Pas debateve me Ermonela Jahon, Opera mban në qershor masterclass-in e dytë me sopranon e njohur italiane

Nga Gazeta Si - Pas debateve për pjesëmarrjen e ulët në masterclass-in e Ermonela Jahos, të mbajtur në Teatrin e Operës, në kuadër të hapjes së Akademisë Teatrale, për trajnimin e dytë që do mbahet në qershor, është hequr pagesa.

Në rastin e sopranos shqiptare ishte 50 euro në një ditë për përfituesit e masterclass-it.

Në thirrjen e hapur për aplikime që zgjat deri në 28 maj, mësohet se e ftuar do të jetë sopranoja e njohur italiane, Anna Pirozzi dhe trajnimi do të bëhet në 3 qershor.

“E cilësuar si sopranoja më e suksesshme italiane dramatike, më 3 qershor, artistët e rinj do të kenë mundësinë të trajnohen plotësisht pa pagesë nga Pirozzi, rreth teknikave të interpretimit, teknikave të këndimit dhe ndërtimit të një roli”, njofton TKOB.

Njësoj si në masterclass-in e parë të mbajtur për 5 ditë me Ermonela Jahon, edhe në këtë rast pjesëmarrësit mund të aplikojnë si dëgjues ose të përftojnë të plotë trajnimin.

Aplikimet bëhen përmes faqes zyrtare të TKOB, ku të interesuarit mund të nisin CV-të përkatëse.

Në masterclassin në Opera me Ermonela Jahon (ndonëse emri i saj mbush sallat e shfaqjeve e masterklaseve kudo në botë) morën pjesë vetëm 12 artistë të rinj, 11 prej tyre të huaj.

“Jam aq e ngarkuar dhe prandaj kam kaq shumë për të thënë. Mendoj që ky është një lloj egoizmi ndoshta, unë këtë e kam provuar para 30 vitesh, por më duket se është akoma edhe sot. Një pedagog nuk të jep dot 100%. Studentët ndoshta mungojnë se nuk i lënë pedagogët”, do të shprehej ndër të tjera sopranoja Ermonela Jaho për eksperiencën e këtij viti në Akademinë Teatrale në Shqipëri.

Pas deklaratës së sopranos Ermonela Jaho se erdhi për masterclass, por nuk gjeti as studentë as pedagogë, pati një sërë reagimesh edhe nga radhët e artistëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë