Gazeta Si – Ndryshe nga vendimi i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, avokatët në Vlorë, Shkodër, Lezhë, Gjirokastër, Korçë dhe Lushnjë vijojnë bojkotin e seancave gjyqësore deri më 24 qershor.
Mirëpo në Lezhë, Vlorë dhe Shkodër, ata kanë protestuar në një formë greve para Gjykatave të Shkallës së Parë respektive.
Avokatët e Lezhës kanë nisur protestën e tyre rreth orës 10:30, duke kundërshtuar hartën e re gjyqësore të propozuar nga KLGJ. Marshimin e kanë nisur nga gjykata, drejt qendrës së qytetit.
Në protestën e avokatëve është bashkuar dhe deputetja e Partisë Demokratike Lindita Metaliaj.
Dhoma e Avokatisë Vendore në Lezhë tha se protesta do të zhvillohet, sepse mbyllja e gjykatave do të sjellë shkurtim të cilësisë dhe shpejtësisë për zgjidhjen e çështjeve të qytetarëve të Lezhës, Mirditës, Kurbinit dhe Krujës.
Sot edhe nesër në Vlorë do të vijojnë të jenë të pezulluara edhe masat e sigurisë.
Bojkoti do të vijojë deri ditën e premte të çdo seance gjyqësore në tre gjykatat e Vlorës, Shkalla e Parë, Administrativja dhe Apeli.
Dhoma e Avokatisë së Vlorës ishte e para, e cila deklaroi bojkotin e seancave gjyqësore, teksa këtë të martë rreth orës 12:00 pritet të jetë prezent në Vlorë dhe kreu i dhomës së avokatisë Maksim Haxhia.
Dhoma e Avokatisë vendosi bojkot të të gjithë seancave të gjyqësorit për 4 ditë, ndërsa kundër kanë dalë avokatët penalistë që shkojnë në seanca, sepse mendojnë që çështja duhet të shkojë në Gjykatën e Kushtetuese për të kundërshtuar KLGJ.
KLGJ ka miratuar draftin, i cili tashmë pritet të kalojë për mendim në Këshillin e Ministrave, Këshillin e Lartë i Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave.
Me vendimin e ri, shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Krujë, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




