Drejtësia

Pas arrestimit, ish-kryebashkiaku Fatos Tushe kërkon lirinë në Apel

Ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, i akuzuar nga SPAK për shpërdorim detyre, ka apeluar vendimin e Shkallës së parë Anti-Korrupsion.

Tushe i është drejtuar Apelit, ku kërkon masë më të butë sigurie, pasi pretendon se nuk ka prova që e implikojnë atë në abuzimin me tenderin prej 240 milionë lekësh, për rehabilitimin e kanalit vaditës.

Kërkesë për masë më të butë sigurie, i janë drejtuar Apelit edhe 10 vartësit e Tushes, të cilët u vunë në pranga rreth një javë më parë.

Ndaj tyre, SPAK ka ngritur tre akuza, atë të “Falsifikimit të dokumenteve”, shpërdorimit të detyrës” dhe “abuzimit me tendera publike”. Nga hetimet, rezulton se Fatos Tushe ka shpërdoruar detyrën në tre raste.

Përgjatë një viti hetimesh, SPAK pretendon se kryebashkiaku i Lushnjës, ka kryer shkelje jo vetëm për dhënien në favor të miqve tenderin prej 23 milionë lekësh.

Sipas dosjes hetimore, ndonëse fituese u shpall firma ‘Euro Alb’, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqet shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si ‘miku’ i kryebashkiakut.

Një tjetër episod kundër ish kryebashkiakut, lidhet me një telefonatë, në të cilën një banor i kërkon ndihmë sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës dhe ai i përgjigjet “Thuaji që fola me shefin”.

Në një operacion masiv, policia arrestoi me urdhër të SPAK-ut 11 persona, mes të cilëve, kryebashkiakun Tushe.

Por edhe zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë: Flamur Peqini, Ibrahim Lami, Bujar Murati, Gazmend Çela, Bektash Nexha dhe Blerta Turku.

Gjithashtu u ndaluan edhe shtetasit, Margarita Gjermeni; Andri Musho; Ani Simoni, dhe Xhemal Haskon, ndaj të cilëve SPAK i kërkoi GJKKO-së, masën e sigurisë “arrest shtëpie”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë