Motosport

Pas 46 vitesh thyhet një tabu, Ferrari do ketë tre pilotë në Teksas

Gazeta Si – Në Çmimin e Madh të Teksasit debuton kampioni 2019 i Formula 3, Robert Shvartzman, rusi me pasaportë izraelite. Kjo e premte është dita e një fakti që te Ferrari nuk ndodhte që prej 46 vitesh, të premten e 10 shtatorit 1976 në Monca.

Më 10 shtator 1976 Ferrari garoi me 3 pilotë, pasi 42 ditë më parë Niki Lauda rrezikoi të humbte jetën në Nurburgring dhe kishte humbur garat e Zeltveg dhe Zandvort. Por në Monca kampioni në fuqi donte të ishte dhe kështu ndodhi. Bashkë me të edhe Klei Regaxoni dhe Karlos Reuteman.

Shvartzman në Monca. Gazeta Si, 21 tetor 2022

Nga atëherë Ferrari nuk ka pasur kurrë një pilot të tretë. Këtë vit rregullorja parashikon që çdo skuadër mund ta ketë një pilot të tretë të ri në dy raste për secilën makinë. Kështu, në FP1 sot do të jetë edhe Robert Shvartzman, i cili në sesionin e parë të provave të lira do të drejtojë makinën e Leklerk.

Shvartzman është rritur në ‘Ferrari Driver Academy’ dhe këtë sezon ka qenë ‘Test Driver’. Deri vitin e kaluar garonte me flamurin rus, që këtë sezon nuk e ka. Një problem i zgjidhur falë pasaportës izraelite, pasi ka lindur në Tel Aviv, më 16 shtator 1999.

Për të do të jetë debutim absolut në F.1, hera e parë në timonin e një F1-75. Ai do të ketë numrin 39, por nuk është izraeliti i parë në pistë. Dy sezonet e fundit është parë në pistë edhe Roi Nisani dhë më parë akoma babai i Roit, Chanoch.

“Të debutoj në një sesion zyrtar të Formula 1 si pilot i Ferrarit, – ka thënë Shvartzman, – është një nder i madh. Dhe fakti që jam i pari pas shumë vitesh më bën të kuptoj sa speciale është kjo gjë. Jam shumë i karikuar dhe shumë kurioz”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë