Gazeta Si – Pas 27 vitesh martesë, Gjykata e Tiranës ka vendosur divorcin zyrtar mes ish-presidentit Ilir Met dhe deputetes Monika Kryemadhi.
Në më pak se një orë seancë në Gjykatën Civile, u vendos zgjidhja e martesës mes palëve. Në këtë seancë, mësohet se i pranishëm është edhe vetë Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili prej tetorit 2024 mbahet në burg për llogari të hetimeve të SPAK. Meta është shoqëruar nga qelia 313 me forcat e policisë së Burgjeve drejt Gjykatës Civile të Tiranës.
Ndërkohë vetë Kryemadhi nuk është paraqitur në seancë, por u përfaqësua nga avokati i saj mbrojtës,Redi Llanaj.
“Sot në datën 11.04.2025, ora 10:30, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Civile, u zhvillua seanca e pajtimit si dhe seanca gjyqësore me objekt zgjidhje martese me paditës I.M dhe të paditur M.K, ku të pranishëm ishin paditësi dhe avokati i tij. Pala e paditur, e njoftuar nga gjykata me fletëthirje, nuk u paraqit në seancë, pa asnjë shkak ligjor, duke e lënë gjykimin në mungesë. Në përfundim gjykata vendosi zgjidhjen e martesës midis paditësit I.M dhe të paditurës M.K.”, thuhet në njoftimin zyrtar të gjykatës.
Kërkesa për divorc u depozitua nga Ilir Meta më 20 qershor 2024, ndërsa prej kohësh ata nuk jetonin më bashkë.
Kryemadhi dhe Meta u martuan më 29 tetor 1998 dhe janë prindër të tre fëmijëve. Të dy janë në hetim dhe ndaj tyre rëndojnë 3 akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish, në çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA, ndërsa ka nisur edhe hetim pasuror.
Ndarja e tyre tanimë është e konfirmuar edhe në formë ligjore, pas afro 10 muajsh nga deklarata publike e ish-Presidentit të Republikës, i cili ishte sot i pranishëm në sallën e gjyqit.
“Zonja Kryemadhi është ish-bashkëshortja ime. Dhe sot kam ndjekur edhe rrugën juridike për këtë çështje dhe kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta, i cili më ka thënë pak kohë më parë që kur kemi kaq shumë tensione dhe probleme me njërin-tjetrin mund të gjeni ndonjë zgjidhje me të qetë dhe unë besoj se e kam gjetur një zgjidhje”, deklaroi ai asokohe.
Para arrestimit, Ilir Meta mohoi në daljet e tij publike që shkak i ndarjes mes tyre të jetë një grua tjetër, por tha se vendimin e mori për t’i shërbyer një kauze që tejkalon interesin personal.
Ilir Meta e kishte akuzuar Monika Kryemadhin për tradhti në politikë, ndërsa ish-bashkëshortja e tij tha se “Metën e kanë iluminuar të tjerët kundër meje”.
Meta dhe Kryemadhi janë martuar në tetor 1998 dhe nga martesa kanë tre fëmijë, Bora, Besar dhe Era Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.