Ngjarje

Pas 20 vite pritjesh, vjen në jetë fëmija i parë përmes riprodhimit të asistuar në maternitetin “Koço Gliozheni”

Nga Gazeta Si – Për herë të parë pranë Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” ka ardhur në jetë fëmija i parë me riprodhim të asistuar.

Bebi Soreja ka lindur me peshë 4 kg e 250 gram duke bërë realitet jo vetëm ëndrrën prej mëse 16 vitesh të dy prindërve të saj, Eridës dhe Xhemalit, por njëkohësisht duke shënuar një moment të rëndësishëm për strukturat spitalore publike, pasi prej 20 vitesh në spitalet publike nuk mundësohej fertilizimi in vitro.

Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu vizitoi nënën dhe vajzën e saj, duke thënë se qeveria ka mundësuar financimin e plotë të paketës së fertilitetit, një shërbim që do të ofrohet falas për 150 bashkëshortë apo çifte të cilët duan të kenë fëmijën e tyre nëpërmjet kësaj procedure.

“Paketa e fertilitetit mbulohet 100% nga buxheti i shtetit”, u shpreh Koçiu.

Në muajin maj të vitit 2023, Ogerta Manastirliu, asokohe ministre e Shëndetësisë, deklaroi se brenda vitit fertilizimi in-vitro do të ofrohej falas për pacientët në maternitetin “Koço Gliozheni”. Por, edhe pse u premtua, shërbimi nuk u ofrua vitin e kaluar, duke shtyrë çiftet që të drejtohen drejt spitaleve private, një shërbim që nis në 4 mijë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë