Sociale

Pas 12 vitesh pezull, krijohet regjistri kombëtar i të dënuarve për krime seksuale

Nga Gazeta Si- Pas më shumë se 3 vitesh miratim nga kuvendi dhe 12 vitesh kërkesa nga organizatat, në Shqipëri është krijuar Regjistri Kombëtar i të dënuarve për krime seksuale.

Nga sot, çdo person, institucion, organizatë, apo biznes, mund të kontrollojë në e-Albania të dhënat e veta apo për çdo person tjetër, nëse janë të regjistruar në regjistër.

Që prej vitit 2013 është avokuar për miratimin e një regjistri.

Në vitin 2019 CRCA prezantoi publikisht draftin e parë të projekt-ligjit për konsultim publik me institucionet publike, shoqërinë civile dhe ekspertët e fushës.

Në vitin 2021 projekt-ligji u dorëzua për shqyrtim dhe miratim në Kuvend nga deputetja Erisa Xhixho. Një vit më vonë, Kuvendi i Shqipërisë e miratoi projekt-ligjin me votat e thuajse të gjithë deputetëve.

Sipas ligjit, regjistri tashmë përmban të dhëna për të gjithë personat e dënuar me vendim të formës së prerë për vepra seksuale ndaj fëmijëve dhe të rriturve që prej vitit 1992, duke mundësuar verifikimin nga institucionet publike, shkollat, kopshtet, organizatat fetare, ato sportive, institucionet e kujdesit social dhe punëdhënësit publike apo privatë, për të shmangur që personat e dënuar për krime seksuale të kenë qasje në mjedise me fëmijë apo persona të tjerë vulnerabël.

“Regjistri është rezultat i mbi 12 viteve punë, kërkesave dhe peticioneve për të parandaluar dhunën seksuale ndaj fëmijëve dhe të rinjve. Tani është koha që të gjitha institucionet, organizatat, klubet sportive, kishat dhe xhamitë, bizneset, por mbi të gjitha familjet tona, ta përdorin me përgjegjësi këtë regjistër për të parandaluar krimin dhe për të garantuar që asnjë fëmijë të mos përballet më me dhunë, abuzim apo shfrytëzim seksual”, thotë Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA-ECPAT.

Gjatë viteve të fundit, rastet e dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe të rinjve kanë shënuar rritje të ndjeshme në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë