Gazeta Si – Ka marrë fund telenovela e mesfushorit Masanga Matondo, lojtarit që i ka munguar shumë Partizanit në kupat e Europës. Nga sot ai është zyrtarisht pjesë e skuadrës Hatayaspor në kampionatin elitar turk.
“Partizani zyrtarizon arritjen e marrëveshjes me klubin turk Hatayspor për trasferimin e lojtarit Masanga Matondo. Kampionët e Shqipërisë kanë konkretizuar marrëveshjen për transferimin me titull definitiv të mesfushorit 24-vjeçar te Hatayspor, që këtë seson është pjesë e Superligës turke”, – shkruhet në njoftimin e klubit të kuq.

Nuk ka asnjë detaj nga ana e klubit në lidhje me shifrat e transferimit të Matondos në Turqi, sa ka fituar Partizani nga kjo lëvizje dhe sa lojtari. Një transferim ‘misterioz’, të paktën për momentin.
Partizani ndërkohë është i fokusuar te ndeshja e kthimit me Astanën, e vlefshme për ‘Play-off’-in e Ligës së Konferencës. Ndeshja e parë është fituar nga kazakët 1-0, kurse ajo e kthimit luhet të enjten. Skuadra e Zekiç duhet të fitojë me çdo kusht, me një gol për ta çuar kualifikimin në shtesë dhe me dy gola diferencë për të shkuar për herë të parë në grupet e Ligës së Konferencës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




