Drejtësia

‘Partizani’ / SPAK shtyn me 3 muaj hetimet për Berishën dhe urdhëron të paguajë për aktet e dosjes. Gjokutaj: Duan të zvarrisin procesin

Gazeta Si – Shtyhet në Gjykatën e Posaçme procesi gjyqësor ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, nën hetim për aferën e klubit sportiv “Partizani”.

Shkak, sipas avokatit Genc Gjokutaj, është se gjykata i ka vendosur kusht pagesën për marrjen e akteve të dosjes, duke theksuar se “duan të zvarrisin procesin”.

Ndërkohë, prokuroria ka kërkuar zgjatje të hetimeve me 3 muaj deri me 2 tetor.

Ishte një seancë e cila duhet të mbahej për informacionin dy mujor. Ndërkohë që seanca e radhës u caktua në datën 19 korrik.

SPAK dha informacion, por sot avokatët e Berishës kanë kërkuar aktet, për të cilat gjykata thotë që duhet t’i paguajnë.

Berisha i kërkon aktet për informacionet dy mujore, pra për punën e SPAK pa pagesë.

“U çel seanca. Ju e dini që në dispozicion kishim informacionin 2 mujor të hetimeve të SPAK-ut, për të cilin ne jemi shprehur. Sigurisht që ky informacion mbështetet në një bazë dokumentare, të cilën ne nuk e disponojmë deri në momentin që ne po flasim. Kolegu ka ardhur në gjykatë dhe ata i kanë vënë kusht që këto akte mund të merren kunddrejt pagesës. Ky nuk është problem dëshire por standarti sepse ligji i ka ndarë shpenzimet gjyqësore në fund të gjykimit”, tha avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj.

Një ditë më parë, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e paraqitur nga avokatët e Berishës dhe Malltezit për përjashtimin e trupës së gjykimit të përbërë nga Sandër Simoni, Ilir Panda dhe Sokol Binaj.

Trupa do të shqyrtojë kërkesën për heqje të masës shtrënguese të sigurisë “arrest në shtëpi” vendosur ndaj të dyve, vendim i cili do të jepet në datën 16 korrik.

Prej 30 dhjetorit, Berisha ndodhet nën arrest shtëpie, nën hetim për korrupsion pasiv lidhur me privatizimin e Kompleksit Partizani.

SPAK thotë se Berisha ka kryer veprime konkrete, si kryeministër, me miratime ligjesh dhe aktesh nënligjore, nga të cilat përfitoi dhëndri i tij, përmes privatizimit të pronës shtetërore, kompleksi sportiv Partizani. Berisha i ka hedhur poshtë akuzat si të pabaza, duke i cilësuar si sulme politike të kryeministrit Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë