Gazeta Si – Fitorja 1-2 në ndeshjen e parë në transfertë ndaj Valmieras e bën Partizanin favorit për kalimin e turit në Ligën e Konferencës , por sigurisht asgjë nuk ka përfunduar. Futbolli ka të papritura dhe trajneri Zoran Zekiç në konferencën për shtyp u ka bërë apel të tijve që të jenë sa më të vëmendshëm.
“Nuk duhet të flemë gjumë në fushë, meqenëse e kemi fituar ndeshjen e parë”, – theksoi trajneri kroat. Të kuqtë në fakt e dominuan ndeshjen në Riga, duke treguar një nivel më të lartë se kundërshtari. Kualifikimi për në fazën e ‘Play-Off’-it është në dorën e tyre.

Ndeshja e sotme zhvillohet në stadiumin ‘Elbasan Arena’, në orën 20:00. Partizani do të zbresë në fushë me lojtarët më të mirë të momentit. Mungojnë Mba dhe Mensah për dëmtim, si dhe braziliani Da Silva për shkak të pezullimit nga trajneri Zekiç.
Mbrëmjen e sotme luajnë ndeshjet e kthimit edhe Ballkani dhe Struga, që gjithashtu e kanë fituar aktin e parë dhe kanë shanse për të shkuar në ‘Play-off’-in e Ligës së Konferencës.
Kampionët e Kosovës ndeshen me Linkoln Red të Gjibraltarit, të cilin e mundën 2-0 në Prishtinë një javë më parë. Edhe Struga luan sot në transfertë, në fushën e Hesperange të Luksemburgut. Ndeshjen e parë skuadra e trajnerit Duro e fitoi 3-1, falë tripletës së sulmuesit Ibraimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




