Gazeta Si - Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, vendosi të shtyjë për në 16 dhjetor seancën paraprake ndaj Sali Berishës, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe të tjerëve për dosjen “Partizani”.
Sipas avokatit të ish-kryeministrit, Sali Berisha, Genc Gjokutaj, shkak është bërë materiali voluminoz që duhet të shqyrtohet nga palët e tjera të akuzuara në proces.
Gjokutaj theksoi se në Gjykatën e Strasburgut, çështja e Berishës është konsideruar prioritare dhe i janë drejtuar shtetit shqiptar për procesin e parregullt.
"Gjykata e Strasburgut pa shteruar ende gjykimin në GJK ka kaluar në fazën e debatit çështjen e zotit Berisha. E ka konsideruar çështje prioritare dhe i ka drejtuar pyetje shtetit shqiptar për procesin e parregullt ligjor. Janë të gjitha ankimet për detyrimin paraqitje, arrestin shtëpi, anti kushtetueshmërinë dhe pasojat që rrjedhim, ndërprerjen e aktivitetit si lider opozite dhe deputet. Të gjitha problematikat që i kemi paraqitur Strasburgu ka ecur në një shpejtësi pa precedent. Ne do presim shkresa ka ardhur drejtuar shtetit shqiptar, do plotësohen pyetje dhe do merret vendim. Ne do i drejtohemi në çdo seancë. Përjashtim i Irena Gjokës ka qenë refreni. Është dhe do e kërkojmë në çdo seancë. Kemi bërë kërkesë të re. Ata kur konstatojnë çështje të rëndësie prioritare, vetë ky afat i shkurtër është një rast i paprecedente. Le të shpresojmë të ecim në këtë rrugë", - shtoi avokati i Berishës.
Kreu i opozitës ndodhet në "arrest shtëpie" që nga 30 dhjetori i vitit të kaluar në kuadër të hetimeve për privatizimin e ish-kompleksit sportiv "Partizani".
Berisha u mor i pandehur dhe iu komunikua akuza "korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim" që në 11 shtator të vitit të kaluar.
Po ashtu edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi u mor i pandehur nga SPAK dhe akuzohet për të njëjtën vepër penale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.