Futboll

Partizani shtanget në shtesë nga Egnatia, rrogozhinasit mbushin tarracat e pallateve

Gazeta Si – Partizani ishte shumë afër fitores në stadiumin e Rrogozhinës, por në fund doli me vetëm 1 pikë, pasi Egnatia barazoi në kohën shtesë dhe ndeshja u mbyll 1-1. Të kuqtë mbajnë momentalisht kreun e renditjes me 48 pikë, por mund të kalohen nga Tirana, nëse kjo e fundit mund Kukësin.

Kristian Mba kaloi skuadrën kryeqytetase në avantazh pas 22 minutash lojë. Partizani pati edhe një mundësi për të dyfishuar, ndërsa Egnatias iu anulua një gol i Kasës për pozicion jashtë loje në fundin e pjesës së parë.

Në pjesën e dytë skuadra rrogozhinase shtoi sulmet dhe arriti ta thyente portierin Rexhepi vetëm në minutën e 3-të shtesë, kur Zejnullai gjuajti saktë brenda zonës. Egnatia qëndron në vend të tretë, kurse për Partizanin 2 pikët e lëna sot mund të kenë kosto më tej.

Ndeshja u luajt pa praninë e tifozëve, për shkak të dënimit të fushës së Egnatias nga Komisioni i Disiplinës. Megjithatë, tifozët rrofozhinas e gjetën mënyrën për ta mbështetur skuadrën e zemrës, duke mbushur tarracat e pallateve pranë stadiumit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë