Futboll

Partizani prezanton trajnerin Zoran Zekiç dhe drejtorin sportiv Arbër Abilaliaj

Gazeta Si – Partizani ka bërë sot një prezantim të dyfishtë: trajnerin Zoran Zekiç dhe drejtorin sportiv Arbër Abilaliaj. Presidenti Demi dhe drejtori i ri sportiv prezantuan trajnerin kroat, me të cilin synohet nisja e një projekti mjaft ambicioz për të ardhmen.

Trajneri Zekiç firmos kontraten me Partizanin. Gazeta Si, 12 qershor 2023

“Partizani zyrtarizon arritjen e marrëveshjes me trajnerin Zoran Zekiç. 49-vjeçari nga Kroacia, i cili do të drejtojë kampionët e Shqipërisë në sezonin 2023-2024, është prezantuar sot nga presidenti Gazment Demi dhe drejtori sportiv Arbër Abilaliaj.

Në sezonin e fundit Zekiç ishte pjesë e ekipit Sllaven Belupo, ndërsa përgjatë karrierës si trajner ai regjistron edhe eksperienca në drejtimin e Sherif Tiraspol, Osijek, Diosgyor dhe Maksimir. Zekiç vjen në drejtimin e 17 herë kampionëve të Shqipërisë për të nisur një projekt ambicioz dhe fitues. Sot skuadra nis zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri”, – shkruhet në njoftimin e klubit të kuq.

Partizani ka nisur një seri ndryshimesh në klub. Pas fitimit të titullit kampion u larguan trajneri Xhovani Kolela dhe drejtori sportiv Elton Marini. Këto pozicione tashmë janë plotësuar dhe pritet që të kuqtë të bëjnë edhe një merkato cilësore. Partizani po ndihmohet në këtë projekt të ri nga ish-futbollisti i Kombëtares, Adrian Aliaj, aktualisht menaxher futbollistësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë