Gazeta Si – Kreu i PD, Sali Berisha nuk është paraqitur këtë të hënë në SPAK si herët e kaluara për të respektuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar nga Gjykata e Posaçme për akuzat e korrupsionit.
Mësohet se shkak është bërë fakti që kryedemokrati po kalon një gjendje viroze dhe e ka patur të pamundur të jetë i pranishëm në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Ai duhej të paraqitej këtë të hënë në SPAK, në zbatim të masës së sigurisë lidhur me aferën e ish-klubit sportiv “Partizani”.
Më 30 qershor 2025, do të mbahet seanca e parë për dosjen e ish-klubit sportiv në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Të pandehur janë marrë pesë persona, ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, biznesmeni Fatmir Bektashi, Andia Pustina dhe Xhimi Begeja. Sali Berisha do të gjykohet për veprën penale të korrupsionit pasiv. Çështja kaloi për gjykim pas rreth 7 muajsh seanca paraprake.
SPAK e akuzon Berishën se gjatë kohës që ishte Kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.