Futboll

Partizani një hap larg grupeve të Ligës së Konferencës, luan ‘Play-off’-in me Astanën

Gazeta Si – Me një gol të të zakonshmit Tedi Cara me penallti, Partizani ka fituar 1-0 ndaj Valmieras në ‘Elbasan Arena’. Edhe ndeshjen e parë të kuqtë e kishin fituar 1-2 dhe tashmë janë kualifikuar në ‘Play-off’-in e Ligës së Konferencës, ku do ndeshen me kazakët e Astanës.

Partizani feston golin e fitores ndaj Valmieras. Gazeta Si, 17 gusht 2023

Ndeshja e sotme ishte pa shumë histori për kampionët e Shqiëprisë, dukshëm më lart se letonezët. Kundërshtari nuk pati fuqi ta vinte në rrezik Partizanin, që kishte qetësinë e fitores së parë dhe gjithçka e kishte në duart e tij. Goli i vetëm u shënua me penallti nga Cara në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë trajneri Zekiç bëri lëvizjet e nevojshme për ta ruajtur skuadrën të freskët fizikisht. Lojtarë si Grezda e Murataj u aktivizuan si zëvendësues. Për Partizanin është momenti të festojë kalimin në ‘Play-off’, ku do të luajë kartat e tij përballë Astanës, një kundërshtar goxha më i fortë.

Pas eliminimit në turin e parë të Championsit nga Bate Borisov, Partizani zbriti në Ligën e Konferencës, ku ka kaluar dy ture. Nëse mposhte edhe Astanën në ‘Play-off’, për herë të parë kjo skuadër do të merrte pjesë në fazën e grupeve të një kompeticioni europian.

Suksesin e Partizani e ka përshëndetur edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, me anë të një postimin në faqen e tij në Facebook.

Mbrëmjen e sotme u kualifikuan për në ‘Play-off’ edhe Ballkani dhe Struga, kampionët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, kështu që do të jenë 3 skuadra shqiptare pjesëmarrëse në aktin e fundit para grupeve të Ligës së Konferencës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë