Gazeta Si – Partizani ngre të martën siparin europian për skuadrat shqiptare. Kampionët e Superiores ndeshet të martën në mbrëmje (ora 20:45) me kampionët e Bjellorusisë, Bate Borisov. Ndeshja luhet në stadiumin ‘Air Albania’ dhe klubi kryeqytetas ka publikuar edhe çmimet e biletave për çdo sektor.
Bileta më e lirë për këtë ndeshje kushton 400 lekë, një çmim i arsyeshëm dhe ndoshta pak i lirë për tifozët e Partizanit, kurse bileta më e shtrenjtë, që i takon tribunës VIP, kushton 4000 lekë. Duhet theksuar se sektori pas portave do të jetë i mbyllur për këtë sfidë.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Zekiç synon të kalojë turin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve. Bjellorusët konsiderohen një kundërshtar i fortë, por i kalueshëm nga të kuqtë.
Partizani ka bërë afrime të rëndësishme në merkaton e verës, ku veçohen ish-lojtari i Kombëtares Eros Grezda dhe ish-kapiteni i Kukësit, Gjelbërim Taipi. Trajneri kroat, Zoran Zekiç, shpreson shumë për një debutim të suksesshëm në stolin e kampionëve të Shqipërisë.
Përveç Partizanit, në kompeticionet europiane këtë sezon marrin pjesë edhe Tirana, Vllaznia dhe Egnatia. Kjo e fundit merr pjesë për herë të parë në historinë e saj në kupat e Europës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




