Gazeta Si – Grupet e Ligës së Konferencës mbeten një mision i pamundur për Partizanin. Ndeshja e kthimit në ‘Play-off’ ndaj Astanës përfundoi në barazim, 1-1, duke u dhënë të drejtën kazakëve të shkojnë në fazën e grupeve, pasi ndeshjen e parë e kishin fituar 1-0. Për Partizanin mbyllet këtu aventura europiane për këtë sezon.
Duhet theksuar se Partizani ishte afër realizimit të ëndrrës, luajti një ndeshje të mirë, por ndoshta vuajti mungesën e eksperiencës.
Bintsouka, surpriza e trajnerit Zekiç në formacion, ngriti peshë tifozët e Partizanit në ‘Elbasan Arena’ me golin e avantazhit në mesin e pjesës së parë. Fillimi ishte shumë i mirë për të kuqtë, që e mbyllën kundërshtarin në gjysmëfushën e tij. Kazakët përfituan vetëm në një rast nga një mosmarrëveshje e mbrojtjes së Partizanit dhe goditën shtyllën.

Sapo nisi pjesa e dytë kampionët e Shqipërisë morën goditjen. Tomasov barazoi rezultatin me kokë, duke demoralizuar disi Partizanin. Sota humbi një top të rrezikshëm dhe Astana iu afrua golit të dytë, por të kuqve u erdhi në ndihmë traversa.
Trajneri Zekiç ndërhyri nga stoli, duke hedhur në fushë njëri pas tjetrit Taipin, Kekon, Prekën dhe Grezdën, duke shtuar forcat sulmuese, por pa rezultat. Kazakët u mbrojtën fort dhe ia arritën qëllimit të kualifikohen në fazën e grupeve.
Ballkani, ashtu siç pritej, është kualifikuar për herë të dytë radhazi për në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Skuadra e trajnerit Ilir Daja u mund sot 1-0 nga Bate Borisov, por falë fitores së thellë, 4-1, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, ka siguruar sërish grupet. Një tjetër arritje e madhe kjo e kampionëve të Kosovës.

Ballkani mbetet e vetmja skuadër shqiptare ne kompeticionet europiane, pasi edhe Struga u eliminua në ‘Play-off’-in e Ligës së Konferencës nga islandezët e Breidablik. Kosovarët mbeten përpara të gjithëve me dy pjesëmarrje radhazi në grupet e kompeticioneve europiane.
Trajneri Ilir Daja ndërkohë përmirëson rekordin e tij personal me 3 pjesëmarrje ne fazën e grupeve në Europë, pas asaj me Skënderbeun në Ligën e Europës. Askush si ai nga trajnerët shqiptarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




