Gazeta Si – Vllaznia dhe Partizani barazuan pa gola sot në stadiumin ‘Loro Boriçi’, në ndeshjen e vlefshme për javën e 3-të të Abissnet Superiores. Duhet theksuar se kampionët në fuqi të Shqipërisë luajtën me 10 vetë gati gjithë ndeshjes, që në minutën e 14-të, kur Maget u ndëshkua me kartonin e 2-të të verdhë.

Vllaznia jo vetëm nuk mundi ta shfrytëzonte superioritetin numerik, por në disa raste rrezikoi të pësonte gol. Arinaldo Rrapaj goditi traversën e portës shkodrane me një ‘predhë’ nga rreth 40 metra, kurse Bintsouka gjuajti jashtë në një rast ideal për Partizanin.
Skuadra shkodrane bëri pak për ta fituar ndeshjen. Mund të përmenden një gjuajtje me kokë e Balajt dhe dy raste të Hakajt dhe Malës në fundin e ndeshjes. Të kuqtë iu afruan golit të fitores edhe në një rast tjetër me Mba, i cili u ndal nga portieri Qarri.
Partizani ngjitet në kuotën e 4 pikëve, por ka një ndeshje më pak, atë të javës së parë me Teutën që u shty. Vllaznia ndërkohë merr barazimin e 2-të në këto 3 javë dhe mban vendin e 4-t me 5 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




