Futboll

Partizani komplikon qëndrimin e Vllaznisë, Tirana humb thellë në Laç

Kanë mbetur edhe 90 minuta nga mbyllja e kampionatit dhe tashmë është zgjidhur edhe dilema e skuadrës që do të shkojë në “Play out”. Është Vllaznia, që për të qenë në Superiore edhe sezonin e ardhshëm, duhet të luajë një ndeshje shtesë në fushën e saj me fituesin e çiftit Besëlidhja-Pogradeci, dy kundërshtarë nga Kategoria e Parë.

Partizani nuk ka toleruar aspak në “Air Albania Stadium”, ku e ka mposhtur 3-0 Vllazninë. Për të kuqtë, të cilët gjejnë fitoren pas tre barazimeve radhazi, shënuan Solomon, Kordeiro dhe Mala. Asgjë për t’u mbajtur mend nga skuadra shkodrane, së cilës tashmë i janë shfaqur makthet e rënies në të Parën. Bylisi, rivali i Vllaznisë, mundi pastër Luftëtarin 2-0, duke krijuar distancën e 5 pikëve një javë para fundit, kështu që është i paarritshëm.

Nga ndeshja Laçi-Tirana, 3-1. Gazeta Si, 24 korrik 2020

Tirana, ashtu siç mund të ishte menduar, është thyer në Laç, ku ekip vendës lufton fort për një vend në Kupat e Europës. Kampionët e rinj të Shqipërisë u mundën 3-1 në këtë transfertë të fundit të sezonit. Golin e nderit për ta e shënoi Torasa në minutën e fundit, kurse për Laçin shënuan Nuabueze dy herë dhe Xhixha. Teutra fitoi 2-3 në Vlorë ndaj Flamurtarit, që shpërdoroi një penallti, kur rezultati ishte 2-2.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë