Pas largimit të Ilir Dajës dhe emërimit të Dritan Mehmetit në krye të stolit të kuq, Partizani ka kompletuar stafin teknik me Fatjon Tafajn, ish-lojtar i këtij ekipi që do të jenë ndihmëstrajner, si dhe me Korrado Sakonen në rolin e përgatitësit atletik. Për italianin është një rikthim, pasi ai ka qenë pjesë e Partizanit edhe kur ky ekip doli kampion me trajnerin Skënder Gega.
Përveç ndryshimeve në staf, klubi kryeqytetas po ndryshon edhe grupin e futbollistëve, duke qenë mjaft aktiv në merkaton e dimrit. Deri tani janë bërë dy afrime zyrtare, mesfushori Sherif Kallaku dhe sulmuesi Xhuljano Skuka, por sigurisht që do të ketë edhe goditje të tjera në kampin e kuq dhe që kanë të bëjnë me përforcimin e mbrojtjes.

Eneo Bitri është një pistë e mundshme. Beratasi mund të mbajë sërish fanellën e Partizanit pas largimit nga Kazakistani, por një ofertë nga jashtë vendit e ka lënë firmën e tij pezull. Me rikthimin e Bitrit të kuqtë do të forconin ndjeshëm qendrën e prapavijës, ndërkohë që kanë siguruar edhe një mbrojtës të majtë të huaj, por ende nuk ka një marrëveshje zyrtare me të.
Në anën tjetër, klubi duhet të zgjidhë çështjen me Ergys Kaçen, ish-mesfushorin e Kombëtares. Kaçe nuk u është përgjigjur pritshmërive dhe paga e tij e lartë rëndon shumë në klubin e kuq, ndaj dhe drejtuesit e tij po negociojnë për prishjen e marrëveshjes, por korçari nuk lëshen pe në kushtet e tij. Ishte një operacion me kosto të lartë, që duket se më shumë i ka hapur punë Partizanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




