Futboll

Partizani i kohës shtesë, për herë të 3-të radhazi fiton në sekondat e fundit

Gazeta Si – Albers Keko shënoi sot golin e fitores për Partizanin ndaj Teutës. Ishte minuta e dytë shtesë dhe të kuqtë morën 3 pikët që i çojnë në kuotën e 20 pikëve. Por kaq ka edhe Egnatia, por Partizani ka një ndeshje më pak.

Partizani mund të quhet tashmë ekipi i kohës shtesë, sepse për herë të 3-të radhazi fiton në sekondat e fundit. Kështu kishte ndodhur në derbin me Tiranën, ku kampionët në fuqi fituan 2-1, si dhe në ndeshjen me Erzenin, ku u regjistrua i njëjti rezultat.

Teuta kishte një mundësi shumë të mirë që të kalonte në avantazh në ‘Arena e demave’, por Realdo Fili humbi një 11-metërsh. Dhe kur mendohej se çdo gjë do të mbyllej në barazim, Partizani goditi sërish në shtesë me Kekon.

Egnatia barazoi sot në Korçë me Skënderbeun, me rezultatin 1-1. Dy golat u shënuan në ekstremet e ndeshjes, që në start nga rrogozhinasit dhe në minutat shtesë nga vendësit. Në fund të kësaj ndeshjeje pati shumë shtesë, sepse loja u ndërpre për shkak të një tifozi që u ndje keq në shkallët e stadiumit dhe mori ndihmën mjekësore.

Më parë Tirana dhe Dinamo barazuan 1-1 në derbin e luajtur në stadiumin ‘Selman Stërmasi’. Kryesojnë me pikë të barabarta (nga 20) Egnatia dhe Partizani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë