Gazeta Si – Jamarbër Malltezi do të vijojë të qëndrojë në “arrest shtëpie”, nën hetim nga SPAK, i akuzuar për korrupsion për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani” në bashkëpunim me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e dhëndrit të Sali Berishës, i cili kërkon ndryshim të masës së sigurisë nga “arrest në shtëpi” në një masë tjetër më të lehtë.
Malltezi i kishte bërë rekurs vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin.
Por, edhe trupa e Gjykatës së Lartë e la në fuqi masën e sigurisë arrest në shtëpi, duke mospranuar kërkesën për rrëzimin e saj.
Kjo është e disata herë që gjykata rrëzon revokimin e Malltezit ndaj masës së sigurisë. Ndërkohë, ky i fundit së bashku me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe 3 persona të tjerë janë marrë të pandehur për dosjen.
Sipas SPAK, Jamarbër Malltezi, ndërtoi në trojet shtetërore të këtij kompleksi sportiv 19 pallate. Organi i akuzës thotë se Malltezi përfitoi nga pozita e vjehrrit të tij si një nga 5 trashëgimtarët e këtyre trojeve, përmes procedurave të përshpejtuara të bëra me VKM.
Gjykimi i dosjes nis më 30 qershor kur edhe Berisha do të ulet në bankën e të akuzuarve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.