Drejtësia

Shtyhet për në 25 nëntor seanca për Berishën dhe Malltezin, avokati Gjokutaj: Do kërkojmë pushim të çështjes

Gazeta Si - Pas rreth një orë shqyrtim, Gjykata e Posaçme (GJKKO) vendosi të shtyjë për në 25 nëntor (ora 12:00) seancën paraprake për dosjen “Partizani”, ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe 4 të pandehurve të tjerë.

Kreu i PD, në "arrest shtëpie" prej dhjetorit 2023, nuk u paraqit në gjyq, por është përfaqësuar nga avokatët e tij.

Avokatët kanë pretenduar se ka pavlefshmëri njoftimesh pasi sipas tyre janë bërë pa përfunduar afati ligjor. E kështu gjykatësja Flojera Davidhi vendosi shtyrjen e seancës.

Vendimi është marrë nga Flojera Davidhi, gjyqtarja, e cila u caktua nga shorti për të drejtuar seancën paraprake.

Në fund të seancës, avokati i tij Genc Gjokutaj tha se do të kërkojë pushimin e çështjes: “Për shkak të pavlefshmërisë së njoftimit dhe për shkak të volumit të jashtëzakonshëm të dosjes seanca është shtyrë për datën 25 Nëntor ora 12:00. Seanca është caktuar përpara 10-ditëshit që ne kemi në dispozicion për të njohur aktet. Mos harroni që janë 160 mijë faqe. Ne i kemi marrë aktet. Problemi është që pjesa e leximit, ato duhet të selektohen, kush janë të dobishme për çështjen se ka ujëra material, - tha avokati Genc Gjokutaj. - Çështja nuk ka as dyshimin më të vogël të arsyeshëm, do të kërkojmë pushimin e çështjes, pastaj vendimmarrja është e gjykatës”, - u shpreh avokati Gjokutaj.

Në seancë mori pjesë, pas sulmit që e la në koma për gati 3 javë, edhe avokati tjetër i Berishës, Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua barbarisht 29 majin e këtij viti në Tiranë. Në shtator, Mëngjesi normalizoi marrëdhëniet me Dritan Nanon, të dyshuarin si porositësin e dhunës.

Një muaj më parë, SPAK i komunikoi Sali Berishës akuzën e "korrupsionit pasiv" dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi atë të "korrupsionit e pastrimit të parave" në lidhje me aferën e ish-klubit "Partizani" në Tiranë.

Përveç Berishës, pjesë e dosjes janë dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja dhe noterja Andia Pustina.

Dosja “Partizani” me 333 fashikuj u dorëzua pasditen e 18 tetorit në gjykatë nga Prokuroria e Posaçme. Sali Berisha akuzohet në këtë dosje për korrupsion pasiv. Jamarbër Malltezi e Fatmir Bektashi akuzohen për korrupsion e pastrim parash ndërsa dy të pandehurit e tjerë vetëm për pastrim parash.

Kryetari i Partisë Demokratike dhe dhëndri i tij janë nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe përgjatë hetimit kanë mohuar akuzat.

Ndërsa biznesmeni Fatmir Bektashi është hetuar nën masën detyrim paraqitje. Xhimi Begeja e Andia Pustina janë hetuar në gjendje të lirë gjatë kësaj kohe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë