Gazeta Si – GJKKO ka rrëzuar kërkesat e avokatëve të të pandehurve të dosjes “Partizani” për pavlefshmëri absolute të akteve hetimore të SPAK.
Në procesin gjyqësor të mbajtur këtë të hënë, me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe disa të tjerë, Gjykata e Posaçme i dha të drejtë akuzave të ngritura nga Prokuroria e Posaçme.
Bëhet fjalë për vendime të marra gjatë hetimeve paraprake nga gjyqtarja Irena Gjoka, kërkesa për të cilat GJKKO thotë se janë të pabazuara në ligj dhe prova.
Sakaq, GJKKO vlerëson se kërkesat e tjera për tejkalim të kompetencave nga SPAK, janë gjithashtu të pabazuara në ligj e prova.
“Sa i takon pretendimeve për eksperte të pa lincensuar apo në konflikt interesi, gjykata konstaton se nuk përfshihen në rastet kur sjell pavlefshmëri. Shkaqet që parashtrohen nga kërkuesi mbeten deklarative, ekspertët e institutit të policisë shkencore kanë kryer detyrën bazuar në ligj”, – vlerëson GJKKO.
Mësohet se Gjykata e Posacme do thërrasë një ekspert topograf të dëshmoje për njohuritë dhe kualifikimet e tij e më pas do shprehet për një nga kërkesat për pavlefshmeri absolute.
GJKKO rrëzoi edhe pretendimin për sekuestrimin dhe ekspertimin e pajisjeve komjuterike si në kundërshtim me ligjin
“Sekuestrimet te ‘Studio Pustina’ dhe të dhënat e shoqërisë ‘Homeplan’ janë të ligjshme, por të dhënat e përfituara nga pajisjet që i janë kthyer të pandehurve, janë të papërdorshme”, – thekson GJKKO, e cila ndër të tjera thekson se nuk ka shkelje të afateve për ekspertimet.
GJKKO konstaton se disa nga pretendimet e të pandehurve, nuk hyjnë në kategorinë e kërkesave paraprake, por duhet t’i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor.
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet në këtë dosje për “korrupsion pasiv”. Dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi e biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohen për “korrupsion e pastrim parash”, ndërsa dy të pandehurit e tjerë, Xhimi Begeja e Andia Pustina vetëm për “pastrim parash”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



