Gazeta Si- Në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të nisë mesditën e kësaj të hëne seanca paraprake ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha për dosjen “Partizani”.
Në ambientet e gjykatës kanë mbërritur ndërkohë Genc Gjokutaj, avokati i ish-kryeministrit Berisha. Po ashtu, pritet të mbërrijnë edhe avokatët e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe tre të pandehurve të tjerë të kësaj çështjeje.
Më herët janë zhvilluar dy seanca të cilat janë shtyrë për shkak të volumit të çështjes. Nëse gjyqtarja do të bindet që SPAK ka prova dhe fakte, mund të vendosë kalimin e çështjes për gjykim.
Në rast se gjykata nuk do të arrijë të bindet për faktet dhe provat e prokurorisë, por nga ana tjetër mund të bindet nga faktet e avokatëve mbrojtës, mund të pushojë çështjen.
Nëse gjykata çmon se nuk janë kryer të gjitha veprimet hetimore, mund ta kthejë çështjen për rihetim në SPAK duke i përcaktuar dhe detyra konkrete që duhen kryer.
Sali Berisha, i liruar para pak javësh nga masa e "arrestit shtëpiak", është marrë i pandehur për "korrupsion pasiv" për aferën e provatizimit të klubit sportiv "Partizani".
Ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në masën e sigurisë "arrest shtëpie", akuzohet për "pastrim parash dhe korrupsion pasiv".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.