Tedi Cara është lojtari më i ri i Partizanit. Sulmuesi kavajas, pjesë e Kombëtares së 19-vjeçarëve të Shqipërisë, ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me klubin e kuq. Një blerje për të ardhmen e drejtuesve të Partizanit, të cilët duket se e ndiqnin prej kohësh futbollistin e talentuar të Besës. Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht në faqen e klubit kryeqytetas.
Cara ka shënuar 8 gola ma fanellën e Besës në Kategorinë e Parë. Pavarësisht moshës së re, ai ka qenë një nga lojtarët kryesorë të saj dhe paraqitja e mirë e sulmuesit kishte tërhequr vëmendjen e ekipeve të elitës në vendin tonë. Detajet e marrëveshjes nuk janë bërë të ditura as nga Partizani dhe as nga Besa.
Fakti që Partizani i ka ofruar Carës një kontratë 5-vjeçare, do të thotë se ka shumë besim te ky futbollist. Gjasat janë që ai të shitet në të ardhmen jashtë vendit dhe kështu klubi i kuq mund të përfitojë financiarisht. Një politikë që tashmë kanë filluar ta ndjekin shumë klube të Superiores, që gjuajnë talente edhe në kategoritë inferiore. Tedi Cara vlerësohet nga specialistët si një sulmues me të ardhme dhe që mund të ndjekë gjurmët e kavajasit tjetër, Sokol Cikalleshi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.