Futboll

Partizani dhe Skënderbeu duel edhe në merkato

Partizani dhe Skënderbeu vijojnë të jenë shumë aktive në merkato edhe në këto orë të fundit para mbylljes zyrtare. Kryesuesit e kampionatit dhe kampionët në fuqi kanë zyrtarizuar tre afrime mbrëmjen 30 janarit. Partizani ka vijuar me politikën e tij të afrimeve “low cost”. Këtë herë “klubi i kuq” ka njoftuar arritjen e marrëveshjes me mbrojtësit Hektor Idrizaj.

“Klubi njofton arritjen e marrëveshjes me Hektor Idrizaj. Mbrojtësi i djathtë ka mbyllur aventurën te ekipi Kamzës dhe tashmë do të jetë pjesë e të kuqve. Idrizaj ka nënshkruar sot kontratën për një vit e gjysëm me Partizanin dhe është prezantuar në ambientet e klubit. Mbrojtësi vlonjat, i cili do të mbajë fanellën me numër 4, do t’i bashkohet menjëherë ekipit. Në kategorinë superior, përveç Kamzës, Idrizaj ka qenë pjesë edhe e Flamurtarit, Skënderbeut, Bylisit dhe Teutës.”- thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediet nga Partizani. Mbrojtësi vlonjat do të jetë një alternatië më shumë për Skënder Gegën në repartin e mbrojtjes, ku deri më tani kishte pasur më shumë kërkesa.

Ndërsa Skënderbeu nga ana tjetër ka bërë dy zyrtarizime në merkato. Bëhet fjalë për dy futbollistë të huaj që i bashkohen grupit të drejtuar nga Orges Shehi. Pervan dhe Sibo kanë arritur akordin me drejtuesit korçar dhe që nga dita e enjte do të jenë nën urdhrat e trajnerit Shehi për t’u përshtatur sa më shpejt me grupin. Marko Pervan, 22 vjeç luan në mesfushë dhe më herët ka qenë pjesë e ekipit kroat të Osijek. Ndërsa mesfushori ganez, Kuasi Sibo më herët ka qenë pjesë e Uatfordit në Angli edhe pse nuk ka mundur dot të luaj dot me këtë ekip. Të dyja afrimet besohet se mbyllin merkaton e Skënderbeut dhe janë brenda filozofisë së këtij klubi të afrimit të lojtarëve të rinj, që në rast shkëlqimi mund të shiten jashtë vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë