Faza e dytë e Superligës mbyllet me dy ndeshjet e kësaj të diele. Partizani kryesues udhëton sot drejt Gjirokastrës për t’u përballur me Luftëtari, ndërsa Kukësi do të presë vendin e fundit, Kastriotin. Të dyja ekipet që synojnë titullin këtë sezon do të duelojnë këtë të diele në distancë për të marrë tre pikët e fundit për këtë vit.
Partizani kërkon fitoren në Gjirokastër në mënyrë që të hedhë pas krahëve dy barazimet me Kukësin dhe Teutën në javët e fundit, por edhe për t’u përgatitur me qetësi për fazën e dytë të kampionatit. Do të jetë një betejë e vërtetë për të arritur i pari në tabelë deri në muajin maj dhe për këtë arsye tre pikët me Luftëtarin në krizë do të jenë si oksigjen për skuadrën e Skënder Gegës. Partizani ka udhëtuar i plotë drejt kësaj transfertë dhe në fushë pritet të zbresë formacioni më i mirë i mundshëm.

Kukësi nga ana tjetër me një sy nga merkatoja pret në stadiumin “Elbasan Arena”, Kastriotin e vendit të fundit. Me Shkurtajn dhe Rrocën, skuadra verilindore do të jetë më e kompletuar por sot Cungu duhet ta fitojë këtë ndeshje pa dy blerjet e reja. Presidenti Safet Gjici ka shpallur objektiv titullin kampion dhe për të ecur në këtë drejtim, fitorja me Kastriotin është më shumë se detyrim. Një triumf do i çonte edhe më afër me podiumin e tabelës kuksianët, por duhet të kenë kujdes, pasi Kastrioti e ka dëshmuar me herët që mund të bëjë dëm, siç ishte fitorja me Flamurtarin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




