Futboll

Partizani, Daja: Ekipi ka kualitet, në tetor futemi në “shtëpinë” e re

Java e dytë e Abissnet Suepriore nis sot me Dinamo-Laçi, që zhvillohet në “Elbasan Arena”, në orën 19:45. Dinamo e ka nisur me fitore kampionatin, ku rikthehet pas 9 vitesh, ndërsa Laçi u mund javën e parë në fushën e tij nga Vllaznia.
Po me humbje e nisi kampionatin edhe Partizani, një nga pretendentët për titull që u mposht nga Teuta kampione në fuqi në fushën asnjanëse të Elbasanit. Të kuqtë luajnë nesër në Korçë me Skënderbeun dhe në prag të kësaj sfide, në konferencë shtypi trajneri Ilir Daja është shprehur:

“Në këto javë të para rezultatet janë pjesë e rëndësishme, por nuk tregojnë gjithçka. Kemi vazhduar punën që gabimet e ndeshjes së parë të paktën të minimizohen. Nuk mund të ndryshosh gjithçka brenda një jave. Kemi një ndeshje delikate në Korçë, Skënderbeu luajti mirë pjesën e parë ndaj Tiranës. E respektojmë kundërshtarin, detyra jonë e vetme është marrja e 3 pikëve.

Nga ndeshja e javës së parë mes Partizanit dhe Teutës. Gazeta Si, 17 shtator 2021

Partizani ka lojtarë cilësorë, dy nga të cilët janë Kaçe dhe Mala. Nuk mund të themi kush do ta nisë titullar, kemi edhe një seancë stërvitore. Ka shumë lojtarë të rëndësishëm, por mbi të gjitha është Partizani. Ndoshta ndonjëri mund të sakrifikohet për shkak të pozicionit, jo për shkak të vlerave. Më pëlqeu në ndeshjen e parë motivimi i lojtarëve dhe dëshira për të fituar. Kualiteti nuk na mungon dhe në javën e dytë mund të behet diçka më shumë.

Sulmi? Kishim probleme me finalizimin ndaj Teutës, që u mbrojt mirë dhe ka merita, por na shqetësoi më shumë fakti që në 1/3 e sulmit nuk kishim shpejtësi. Duhet të kishim më tepër raste para portës. Kampionati nuk ka diferenca të mëdha, ne do të fokusohemi të ndeshja e radhës, sepse Skënderbeu është ekip që di të luajë mirë futboll. Duhet të jemi pragmatistë, duhet të jemi të gjithë grup për të minimizuar problemet”.


Në fund të konferencës për shtyp, trajneri Daja preku edhe çështjen e stadiumit të ri, që do ta ndihmonte jo pak Partizanin. “Mendojmë që të paktën nga mesi i tetorit të fillojmë stërvitjen në fushën e kompleksit të ri, kemi marrë edhe fjalën e presidentit. Për të luajtur ndeshje në këtë kompleks, besoj se mund të ndodhë në nëntor”, – tha Daja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë