Drejtësia

‘Partizani’ / Berisha paraqitet në SPAK dhe lexon mesazhin e radhës që i la Altin Dumanit

Gazeta Si – Kreu i PD, Sali Berisha zbatoi këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”.

Edhe sot, mbështetës të liderit demokrat u mblodhën para prokurorisë, ku pas daljes mbajti fjalën para tyre.

Berisha sulmoi kreun e SPAK, Altin Dumanin, kur zbuloi se çfarë kishte shkruar në procesverbalin që nënshkruan për paraqitjen.

“Amnistimi i krimit elektoral nga Dumani dhe SKAP-i i partisë, është krim kushtetues. Është atentati më më i rëndë ndaj zgjedhjeve të lira, Sali Berisha. Ua lash aty”, tha Berisha, duke iu referuar mesazhit të radhës për Dumanin.

Sërish para dyerve të SPAK, ai lexoi disa përgjime që sipas tij janë pjesë e një dosje ndaj ministrit Taulant Balla.

“Taulanti është një personazh unik. A e dini ju të nderuar gazetarë që ai është edhe hajdut xhepash në kuptimin që nuk ngurron t’u kërkojë mbushmani kartën e telefonit, hidh ca mbushje në kartën time të telefonit”, tha Berisha.

Në seancën pyetje-përgjigje me gazetarët, Berisha u ndal edhe te zgjedhjet e 11 majit, ku premtoi se ndryshimi do të nisë nga Durrësi dhe sipas tij kjo nuk është rastësi.

“Populli i Durrësit është i vendosur të mos ketë më asnjë ndikim nga banditët, nga trafikantët dhe nga qeveritarët, të cilët të turpëruar nga të gjitha anët, kanë zhdukur deputetët e mëparshëm…”.

Berishës iu rikthye masa e detyrimit të paraqitjes më 3 janar 2025 nga gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi, pasi SPAK ankimoi lirimin e tij.

Berisha është marrë i pandehur për dosjen ‘Partizani’, për të cilën SPAK e akuzon se me një sërë veprimesh i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani”, që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i pandehur gjithashtu dhe në masën “arrest shtëpie”.

Të pandehur në aferën Partizani janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja orataku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë