Futboll

Partizani afrohet me titullin kampion, Tirana i shpëton rënies

Është mbyllur java e 32-të e Superligës shqiptare me te gjitha ndeshjet që u luajtën në të njëjtin orar këtë të shtunë. Partizani ka fituar në Vlorë me Flamurtarin në shifrat 0-3, Tirana ka mposhtur Skënderbeun, 1-0, ndërsa dy ndeshjet e tjera Laçi-Kastrioti dhe Teuta – Luftëtari janë mbyllur në barazim.

Me fitoren e Kukësit në tavolinë 3-0 ndaj Kamzës, Partizani do duhet të presë edhe një javë tjetër për të nisur festën që mungon prej 25 vitesh. “Të kuqtë” janë me njërën dorë te tituli kampion dhe çdo gjë tashmë duket e vendosur. Pas kësaj fitore të thellë me Flamurtarin, Partizani është 10 pikë më shumë se Kukësi dhe në ndeshjen tjetër mund të festojë titullin kampion. Është derbi me Tiranën dhe ku ka më mirë për Partizanin që të rikthehet te titulli kampion pas 25 vitesh pikërisht përballë rivalëve të përjetshëm. Për ekipin e Gegës fitoren në Vlorë e firmosën golat e Asanit, Mensah dhe Çinarit.

Por edhe Tirana mund të buzëqeshin pas kësaj jave. Me fitoren e arritur nga Skënderbeut në Selman Stërmasi, bardhebultë mund të thuhet se kanë shpëtuar nga rënia prej Superligës, pasi Kastrioti është 5 pikë më pak dhe vetëm një mrekulli mund t’i shpëtonte krutanët. Skuadra e Ardian Memës arriti t’i marrë tre pikët duke vuajtur, pasi vetëm në minutën e 90’, Hasani mposhti portierin korçar.

Në dy ndeshjet e tjera, Teuta dhe Laçi që luftojnë për Europën, u ndalën në barazime nga Luftëtari dhe Kastrioti që luftojnë për të mbijetuar në elitë. Në Laç ndeshja u mbyll në shifrat 1-1, ndërsa në Durrës, Teuta dhe Luftëtari nuk arritën ta gjejnë rrugën e rrjetës. Me këto barazime të katërta ekipet vijojnë t’i mbajnë pezull objektivat sezonal, pasi janë edhe 12 pikë të tjera në lojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë