Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD Sali Berisha është pyetur gjatë konferencës së sotme në lidhje me refuzimin e bërë nga partitë e reja si Mundësia, Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë, kundrejt tryezës së propozuar nga ana e tij ditën e nesërme.
Ai u shpreh se nuk mund të paragjykojë pa u mbledhur tryeza, ndërsa la të hapur mundësinë se ata mund të ndryshojnë mendim.
Berisha theksoi se dera është e hapur për të gjithë ata që e ndjejnë veten opozitarë, ndërsa qëllimi sipas tij është një front sa më i gjerë kundër qeverisë.
“Po ja që mundet të ndryshojnë mendim, dhe pastaj ç’ngelet nga fjala ime. Prandaj dera është e hapur, tryeza është e hapur dhe të gjithë ata që e ndjenjë veten opozitar, janë të mirëpritur.
Kjo ka vetëm këtë qëllim, një front sa më të gjerë për përmbysjen e kësaj qeverie. Prandaj dhe unë nuk bëj asnjë koment, për komentet që janë bërë ditët para tryezës”, tha ai.
Ditën e nesërme (9 janar) Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të zhvillojë një tryezë, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Sipas tij, në këtë takim do të diskutohen dhe përcaktohen qëndrimet ndaj Ramës, si dhe hapat e mëtejshëm, përfshirë datën dhe format e protestave që opozita do të organizojë.
Berisha thekson se vendimet finale për aksionet do të merren së bashku me të pranishmit në tryezë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




