Politike

Partia Socialiste feston 33-vjetorin e themelimit, Klosi: Jemi më të fortë se kurrë

Gazeta Si – Partia Socialiste e Shqipërisë ka festuar mbrëmjen e kësaj të mërkure 33-vjetorin e themelimit të saj, e cila që prej vitit 2005 drejtohet nga kryeministri Edi Rama.

Mbështetës, deputetë, ministra, e deri tek figurat e vjetra të kësaj force politike u mblodhën bashkë në këtë 33-vjetor.

Ish-kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ish-deputetja dhe ish-ministrja Alta Dade, Namik Dokle, e Et’hem Ruka u panë nën shoqërinë e kryesocialistit Edi Rama.

Ky i fundit zgjodhi që të ishte fjalëpakë, ndërsa në mes të pranishmëve ‘fjalën’ e tij e përmblodhi me vetëm një frazë: “Rroftë Partia Socialiste”.

I vetmi që mbajti një fjalim të shkurtër ishte sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, i cili tha se “sot PS është më e fortë se kurrë dhe gati për të fituar shumë gara elektorale”.

Festa u zhvillua në kryeqytet, në selinë e Partisë Socialiste. Socialistët qeverisin prej 3 mandatesh radhazi në drejtimin e Edi Ramës, ndërsa synojnë të fitojnë edhe një mandat të katërt në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë