Politike

Partia Demokratike në përplasje të hapur

Nga Gazeta ‘Si’- Pesë orë mbledhje në Kryesinë e Partisë Demokratike konfirmuan se kriza e kësaj partie nuk është më e heshtur por po shfaqet hapur në tryezat më të larta vendimmarrëse të saj.

Që në orët e para, diskutimet u dominuan nga përplasjet mes anëtarit të Kryesisë Ervin Salianji, kryetarit të PD-së Sali Berisha dhe Sekretarit të Përgjithshëm Flamur Noka.

Debati me dyer të mbyllura u përqendrua kryesisht te nismat e Salianjit me turin e foltoreve dhe te akuzat e Nokës dhe Berishës se këto lëvizje po zhvendosin fokusin e opozitës nga beteja kundër qeverisë.

Teksa kërkoi përgjegjës brenda drejtuesve të Partisë Demokratike, për atë që e quajti “vendimmarrje të paqartë”, Salianji i bëri thirrje Nokës të jepte dorëheqje pasi sipas tij, ai kishte shkatërruar PD-ne.

Në fokus të tij ishin firmat për zgjedhjen e Endrit Shabanit si Avokat Populli.

Pas mbarimit të mbledhjes, ndërsa Berisha u largua në heshtje drejt makinës, Salianji u rrethua nga gazetarët, duke artikuluar publikisht kritikat e tij ndaj drejtimit të partisë dhe duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e Flamur Nokës.

“Kam thënë çfarë kisha për të thënë në mbledhje. Vendimmarrja e PD, e cila ishte e paqartë në shumë situata, bën përgjegjës. Në zgjedhjen e ish-presidentit Bamir Topi, në momentin që gjashtë deputetë të PS-së votuan për presidentin e asaj kohe, pati dorëheqje të menjëhershme. Ne nuk mund të rrimë peng i interesave personale, e kështu me radhë. Unë po bëj përgjegjës drejtuesit e PD-së për paqartësitë strategjike në vendimmarrje të caktuara. Kam folur në strukturë dhe nuk dua ta zhvendos vëmendjen”, tha Salianji.

Ndër të tjera, ai u shpreh i keqardhur nga mbledhja e kryesisë, pasi sipas tij, e zhvendosi fokusin nga protesta tek diskutimet e brendshme. Megjithatë paralajmëroi se ndryshimi nuk vjen pa sakrifica.

“Ajo që di t’ju them është që do ecim përpara. Çdo ndryshim nuk vjen pa sakrifica dhe pa reagime e përplasje. Do vazhdojmë dhe do ecim përpara. Çdo akuze dhe çdo idiotësie, do i përgjigjemi me fakte konkrete dhe me emra konkretë, qoftë edhe budalliqeve të këtyre rasteve”, tha Salianji.

Nga ana tjetër, Flamur Noka mohoi çdo përgjegjësi personale, duke e zhvendosur debatin te qeveria dhe kryeministri Rama.

“Po flas për agjendën e demokratëve dhe opozitarëve, ju po flisni për agjenda jashtë partiake në shërbim të qeverisë. Sot dorëheqja e vetme që kërkohet nga gjithkush në këtë vend është dorëheqja e Edi Ramës. Asgjë tjetër nuk e stabilizon Shqipërinë. Dorëheqja ime apo e dikujt tjetër këtu, qetëson vetëm Edi Ramën dhe shërbëtorët e tij. Kjo është më se e qartë dhe evidente”, tha Noka.

Ai mohoi që të ketë firmosur për Shabanin dhe tha se ka kërkuar llogari për këtë gabim te deputetët e tjerë.

“Flamur Noka në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së dhe deputetit ka debatuar me çdo firmëtar, ka qenë kundër dhe është kundër. Flamur Noka ka një vullnet të shprehur te Adriana Kalaja, Besim Ndregjoni dhe kandidatët e tjerë. Flamur Noka, po e përsëris, ka debatuar me çdo firmëtar dhe në mbledhjen e grupit kam qenë i vetmi që ka kërkuar llogari për këtë gabim që është bërë. Ky është qëndrimi im personal në raport me këtë çështje që po thoni”, tha ai.

Kjo përplasje nuk ishte një incident i izoluar, por pjesë e një klime më të gjerë pakënaqësie që po shfaqet gjithnjë e më hapur.

Tani mbetet për t’u parë nëse Berisha dhe rrethi i tij do të përpiqen ta relativizojnë përplasjen, duke e paraqitur si debat normal dhe duke riafirmuar unitetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë