Politike

Berisha çel fushatën elektorale! LaCivita flet si demokrat: Socialistët 12 vite dështime! (foto)

Nga Gazeta ‘Si’- “Lufta e Ramës me Partinë Demokratike është lufta e Don Kishotit me mullinjtë e erës”, deklaroi kreu i PD Sali Berisha në çeljen e fushatës elektorale.

Në një miting të madh të organizuar në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, Berisha e nisi fjalimin me sulme drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës së tij.

Teksa fajësoi qeverinë për 12 vite dështime, Berisha deklaroi se në 12 maj Shqipëria do të shpëtojë nga kthetrat e regjimit.

Sipas tij, Ramën e ka zënë frika në këto zgjedhje dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë fatin e tij.

“Edi Rama sonte e ke të vështirë natën. Kjo është një natë e veçantë sepse sonte ne vijmë këtu për të nisur betejën tonë të fitores. Këto vite, e keqja e vuri para vendin tonë, këto vite, 12 vite të shkretimit të saj nga bijtë dhe bijat. Ishin vitet e varfërimit të saj, ishin vite në të cilat regjimi i narkos-ve bëri gjithçka që të fshinte veprën tuaj Shqipërinë pluraliste. Bëri gjithçka të fshinte arritjet tona në rrugën e lirisë.

Bëri gjithçka që mos kemi as emër as flamur, por ja ku jemi sot me flamurin tonë më krenar se kurrë. Jemi më të bashkuar se kurrë për të shkuar drejt fitores. Vijmë këtu me një betim solemn për ta nxjerr Shqipërinë nga kthetrat e këtij regjimi dhe për të rikthyer tek ajo projektin e ëndrrave të djemve dhe vajzave” tha Berisha. 

Ai gjithashtu i kërkoi kryeministrit Rama që në 11 maj të largohet me votë, pasi sipas Berishës, ai i ka sjellë dëmet më të mëdha Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Një javë në mbarë Europën u gozhdua Edi Rama, u gozhdua Narkoshteti. Premtimi solemn se shqiptarët do të votojnë të lirë. Dhe unë i them Edi Ramës ‘mos prek votën, se në mënyrë absolute vend mbi tokë nuk do kesh. Largohu me votë se i ke bërë të këqija shumë të mëdha këtij vendi.”

Ndërkohë, edhe drejtuesi i fushatës së PD, Chris LaCivita ndërsa mbajti fjalën e tij në mitingun hapës, foli ‘si demokrat’ duke akuzuar mazhorancën për “12 vite dështime”.

Ish-këshilltari i Trump deklaroi se socialistët, ashtu si në Amerikë nuk do të mund t’i mbyllin gojën opozitës sipas tij, dhe ftoi të pranishmit që të votojnë Berishën nëse duan rikthimin e shpresës.

“Në vitin 2024, në Shtetet e Bashkuara, socialistët u përpoqën të fusnin në burg Donald Trump. Donald Trump nuk u dorëzua. Ata dështuan. Në vitin 2025, këtu në Shqipëri, socialistët duan të fusin në burg gjithë opozitën e tyre.

Edhe këtu do të dështojnë. Pse? Sepse nuk mund të mbrojnë dot bilancin e 12 viteve të fundit: 12 vite krim, 12 vite drogë, më shumë se 1 milion shqiptarë janë larguar nga vendi, dhe 12 vite dështim ekonomik.

Pse të votoni për partinë që i krijoi të gjitha këto probleme? Votoni për Dr. Berishën. Jepini vendit tuaj mundësinë. Dhe jepini njerëzve shpresë. Faleminderit. Zoti ju bekoftë”, tha Chris LaCivita.

Kolona zanore që shoqëroi Berishën dhe mesa duket do shoqërojë të gjithë fushatën e koalicionit “Shqipëria Madhështore”, ishte kënga e famshme e filmit Rocky Balboa, Survivor – Eye of the tiger.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë