Mungesa e opozitës kryesore në Parlament ka sjellë dobësimin e këtij institucioni, duke cilësuar 2019 sërish si një vit tranzicioni. Ky është konstatimi i nxjerrë në raportin e Institutit për Studimet politike në monitorimin e punës së këtij institucioni që synon kontrollin e Ekzekutivit dhe të miratimit të ligjeve. Jo rastësisht ISP e ka titulluar këtë raport “Parlamenti i krizës”, pasi në periudhën e monitorimit nga janari deri në gusht 2019, ky institucion u përfshi në kriza të mëdha politike, që kulmoi me dorëzimin në bllok të mandateve të deputetëve të opozitës, duke përjashtuar vetëm tre vetë Rudina Hajdarin, Myslim Murriz të PD-së, dhe Lefter Koka të LSI.
“Kuvendi përballet me sfidën e rritjes së efikasitetit dhe të funksionalitetit të tij në rrethanat kur opozita më e madhe politike në vend nuk është më pjesë e jetës dhe aktivitetit parlamentar. Pa opozitën kryesore mbetet sfidë fuqia dhe potenciali real i parlamentit për të mbetur organi kryesor i vendimmarrjes politike dhe për të përmbushur përgjegjësitë kushtetuese e ligjore. Kuvendi duhet të investohet më shumë në funksion të kontrollit kushtetues të institucioneve të tjera, sidomos të pushtetit ekzekutiv. Një numër aktesh të miratuara gjatë viteve nga Kuvendi ende nuk janë shoqëruar me akte nënligjore nga institucionet ekzekutive, ndaj edhe Kuvendi mund të investohet më shumë në ndjekjen e nivelit të zbatimit të ligjit”, thuhet si konkluzione të raportit të ISP-së.

Kuvendi arriti të ketë 122 deputetë nga 140 në total, pasi 40 deputetë të rinj morën mandate nga lista proporcionale e opozitës. Lista proporcionale e PD u konsumua dhe personat e tjerë nuk e pranuan mandatin. Për pasojë, qarqe si Lezha apo Kukësi kanë respektivisht vetëm 57% dhe 67% të deputetëve të zgjedhur më 2017, ndërsa nga 12 qarqe, vetëm Gjirokastra, Berati e Korça kanë të njëjtin numër deputetësh në parlamentin aktual si më 2017. Në këto rrethana, debati mbi legjitimitetin dhe kapacitetin për të funksionuar mori më shumë kohë e energji sesa debati mbi axhendën parlamentare.
“Procesi i dorëheqjes së opozitës nga parlamenti dhe i zëvendësimit të deputetëve me emrat pasues të listave proporcionale e dobësoi besimin publik tek parlamenti dhe zhvendosi vëmendjen nga vetë parlamenti, tek emrat dhe surprizat me ata që pranuan mandatet”, thuhet në raport. Kjo pasi tradicionalisht në pjesën fundore të listave proporcionale të partive politike nuk ka pasur emra të njohur dhe me përvojë politike, por kryesisht emra që plotësojnë mozaikun e përfaqësimit, kryesisht drejtues të partive të vogla, përfaqësues të komuniteteve të veçanta kulturore, përfaqësues nga krahina të papërfaqësuara. Nga muaji Shkurt deri në Maj, Kuvendi nuk miratoi asnjë ligj të rëndësishëm, deri në zëvendësimin e mandateve të deputetëve. Në fund të sesionit u miratuan me konsensus disa ligje, edhe si pjesë të paketës së reformës në drejtësi, duke arritur edhe vota si ato të vitit 2016.
Gjatë vitit 2019, ISP thekson se Kuvendi nuk ka zhvilluar asnjë debat të dedikuar mbi krizën dhe rrugëzgjidhjet, por ka zgjedhur të jetë shtojcë e akteve politike që vijnë nga partitë në qeveri ose në opozitë. Dobësimi i parlamentit dhe procesi kompleks i zëvendësimit të një pjese domethënëse të deputetëve arriti të sigurojë numerikisht funksionalitet normal të parlamentit dhe shumicë absolute në votime.

Grupimet, PS 64% të Parlamentit
Grupi i Partisë Socialiste me 61% të përbërjes së parlamentit me 122 deputetë. PS ka rreth 10-11% më shumë deputetë në përqindje në parlament sesa në shtator 2017 kur u zgjodhën deputetët e kësaj legjislature. Në grupin e PS vijon të jetë kryetar Taulant Balla me zëvendëskryetarë deputetët Ilir Beqaj, Elisa Spiropali, Evis Kushi e Vilma Bello. Grupi i dytë më i madh janë deputetët ende “pa grup” parlamentar, në total 19% e të gjithë parlamentit. Aty bëjnë pjesë edhe ish-deputetë të PDIU apo të PS, si dhe deputetë të rinj që nuk kanë ende një përcaktim mbi përkatësinë politike. Ata nuk kanë përfaqësim dhe strukturë, ndaj edhe nuk përfitojnë cilësimet dhe privilegjet e të qenit grup parlamentar.
Grupi i tretë është Grupi “Demokrat” ku bëjnë pjesë kryesisht deputetë të PD. Në grupin “Demokrat” kryetare është Rudina Hajdari dhe zëvendëskryetarë deputetët e rinj Halil Valteri dhe Arlind Çaçani.
Grupi i “Pavarur” përbëhet kryesisht nga disa deputetë që vijnë nga ish lista proporcionale e LSI. Në Grupin e “Pavarur” kryetar është deputeti i ri Nimet Musaj dhe zëvendëskryetar Edlira Hyseni. Grupi më i ri është ai i “Partive të djathta” ku bëjnë pjesë disa prej kryetarëve të partive të vogla ish-aleate me PD në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kryetar i grupit është deputeti i ri Adriatik Alimadhi dhe zëvendëskryetar deputeti Kostaq Papa. Në total janë zëvendësuar 46 deputetë të opozitës, nga listat shumëemërore.
Aktet rekord pa opozitën
Në raportin e ISP-së thuhet se nga mungesa e opozitës reale, mazhoranca ka shfrytëzuar për të miratuar aktet, duke shënuar një rekord. Kuvendi i vitit 2019 miratoi 102 akte ndaj 88 të miratuara në të njëjtën periudhë kohore të vitit 2018. Rritja e numrit të akteve ka ardhur edhe për shkak se debati i gjatë politik dhe parlamentar i vitit 2018 është në nivele më simbolike më 2019 dhe se mazhoranca ka të gjitha votat e nevojshme për të kaluar aktet e saj pa pasur shqetësim për bllokim seance apo protestë nga deputetët e pakicës. Nga të dhënat e vitit 2019, rezulton se Kuvendi, numrin më të madh të akteve e ka kaluar në muajin korrik dhe maj, 19 dhe 20 akte, ndërkohë që periudha e konfliktit politik me opozitën (janar dhe shkurt) ka numrin minimal të akteve të kaluara. Në 24 seancat plenare u mbajtën 616 diskutime (sipas Kuvendit) ose 598 diskutime (sipas të dhënave të ISP).

Pavarësisht nga kriteret e ndryshme të vlerësimit të “diskutimeve”, diferenca midis përfundimeve/të dhënave te ISP dhe Kuvendit është e vogël (18) dhe thelbi nuk janë numrat, por përmbajtja e tyre.
Kuvendi ka bërë edhe krahasimin midis mazhorancës dhe opozitës, duke arritur në përfundimin se gjatë 2019 opozita ka mbajtur 33% të kohës së diskutimeve ndaj 66% të mazhorancës. Kjo shifër, në të njëjtën periudhë kohore të vitit 2018 ishte 53% opozita ndaj 47% mazhoranca, pra ka një përmbysje totale të raporteve për shkak të mungesës së opozitës parlamentare (PD e LSI).

Vetëm për informim më teknik, seancat plenare sipas Kuvendit zgjatën 126 orë më 2019 nga 141 orë në të njëjtën periudhë kohore të vitit 2018 kur parlamenti ishte 100% funksional.
Nga tetë nisma ligjore të deputetëve në parlament gjatë periudhës janar-korrik 2019, de facto vetëm 2 janë nisma të deputetëve, 6 të tjerat janë nisma ligjore të organeve të tjera, të cilat formalisht janë iniciuar në parlament përmes nënshkrimeve të disa deputetëve.

Komisioni i Ligjeve mban shifrën rekord të mbledhjeve të zhvilluara gjatë sesionit parlamentar 2019. Konkretisht, ky komision ka pasur 58 mbledhje, në total shumë më tepër mbledhje sesa tre komisione të tjera së bashku, siç janë politika e jashtme, integrimi dhe ekonomia. Numri i madh i mbledhjeve që zhvillon Komisioni i Ligjeve i dedikohet natyrës së komisionit dhe detyrimit që të gjitha aktet parlamentare të kalojnë përmes këtij komisioni, por edhe faktit se nismat emergjente politike të mazhorancës janë ndërmarrë përmes këtij komisioni. Ndërsa raporti vëren se në shumë raste Kuvendi ka luajtur vetëm rolin e noterit, ku për ratifikimet e parqitura në Parlament nuk ka pasur as debate.
Ndërsa theksohet se ka pasur vetëm një mocion dhe ai ka ardhur nga mazhoranca, ku sipas rregullave duhej të ishte nga opozita. Mocioni me debat ishte për presidentin mbi dekretin e nxjerrë për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Deputetët memecë dhe incidentet
Si pjesë të incidenteve në Parlament, është ai nënkryetarit të PD-së, Edi Paloka, i cili i hodhi bojë kryeministrit Edi Rama. Deputeti i PD u përjashtua në seancën e 12 shkurtit 2019, incidenti i paprecedent zuri vend në të gjithë mediat dhe rezultoi të ishte përgjigje e deputetit ndaj një sjellje denigruese të kryeministrit ndaj deputetit në seancën e mëparshme.

Gjatë sesionit parlamentar janar – korrik 2019 Kuvendi shënoi për herë të parë një rezultat pozitiv në praktikën e deklarimit paraprak të rasteve të deputetëve në Konflikt Interesi. Tre deputetë Fatmir Xhafaj, Vasilika Hysi dhe Anastas Angjeli në katër raste deklaruan se janë në gjendje të konfliktit të interesit ndaj deklaruan mospjesëmarrjen në procesin e votimit të akteve të cituara në deklaratë.
Deklarimet e tyre janë gjithashtu rasti i parë zyrtar në historinë 28 vjeçare të parlamentit në Shqipëri, si të tilla meritojnë vlerësim dhe janë tregues se normat e Kodit të Sjelljes, miratuar më 2018 dhe që përfshijnë praktikat e parandalimit të Konfliktit të Interesit kanë filluar të marrin jetë.
Nga të dhënat e tabelës përmbledhëse të aktivitetit parlamentar për deputetët që ushtruan plotësisht mandatin parlamentar gjatë periudhës janar-gusht 2019, rezulton se në 10 deputetët më efikasë janë Vasilika Hysi me 72 pikë, ndjekur nga Myslim Murrizi me nga 63 pikë, Ilir Beqaj, Ermonela Felaj dhe Rudina Hajdari me nga 62 pikë, Arben Ahmetaj me 60 pikë, Antoneta Dhima me 58 pikë, Englantina Gjermeni me 56 pikë, Blerina Gjylameti me nga 53 pikë, si dhe Ulsi Manja e Ervin Bushati me nga 52 pikë. Deputetja Vasilika Hysi është e shkëputur nga deputetët e tjerë në vlerësim, kurse diferencat midis deputetëve të tjerë janë minimale.

Nga dhjetë deputetët më efektivë në parlament, tre prej tyre, Ermonela Felaj, Arben Ahmetaj dhe Ulsi Manja janë njëherësh edhe kryetarë të komisioneve parlamentare, si dhe vetëm deputetja Hajdari është në mandatin e saj të parë parlamentar. Nga 10 deputetët më efektivë, 6 prej tyre janë gra deputete dhe 4 të gjinisë tjetër. Në listën e 10 deputetëve më pak aktivë në parlament, për pasojë, edhe me treguesit më minimalë të efikasitetit bëjnë pjesë së paku pesë biznesmenë të njohur, si dhe së paku katër prurje politike që nuk kanë lidhje organike me partitë e tyre politike dhe as me jetën parlamentare. Ndër deputetët më efikasë bëjnë edhe pjesë dy deputetët demokratë, Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari, të cilët refuzuan lënien e mandatit parlamentar dhe që gjatë kësaj periudhe ishin mjaft aktivë sidomos në debatet në seancat plenare dhe në angazhimet publike. Nga listat e PS bëjnë pjesë deputetë me përvojë dhe me më shumë se një mandat parlamentar, ku bën dallim angazhimi i deputetes Antoneta Dhima, prurja e vetme nga përfaqësimi periodik elektoral i PS.
Të dhënat e tabelës së klasifikimit të 45 deputetëve të rinj që hynë në parlament gjatë periudhës mars – qershor 2019, tregojnë se deputetët më efikasë në prurjet e reja janë Ralf Gjoni, Lefter Maliqi, Artur Roshi dhe Vasil Sterjovski, katër deputetë që vijnë nga prurje të ndryshme politike: i pari nga LSI, i dyti nga PD, por i dorëhequr në periudhën zgjedhore të vitit 2017, i treti nga Balli Kombëtar dhe i katërti nga komuniteti maqedonas në Shqipëri. Për periudhën e angazhimit të tyre parlamentar ata kanë përkatësisht 48, 45, 36 dhe 34 pikë. Prej tyre vetëm Maliqi ka pasur më parë përvojë parlamentare. Në listën vijuese janë edhe emra të tjerë me përvojë politike në partitë e mëdha ose të vogla, përfshirë Andi Përmeti, ish anëtar i KK të PD që tashmë është në Bindja Demokratike, Ligoraq Karamelo, i cili vite më parë ka drejtuar Lëvizjen për të Drejtat e Njeriut, etj.

Gjatë seancave plenare janar – korrik 2019, tregon se 12 deputetë kanë pasur më shumë se 10 fjalime, nga të cilët, deputetët kryesues të listës janë kreu i grupit të PS Taulant Balla me 19 fjalime, nga të cilat 5 në emër të grupit dhe 14 individuale; ish deputeti i PD tashmë zëvendëskryetar i Kuvendit Myslim Murrizi me 15 fjalime, ku të gjitha janë fjalime individuale, si dhe deputetja e PS Fier Antoneta Dhima me 14 fjalime, nga të cilat 10 janë në emër personal dhe 4 fjalime në emër të grupit të saj parlamentar. Interesant është fakti se në listën e deputetëve më aktivë në fjalimet parlamentare bëjnë pjesë Korab Lita (10 fjalime), Halit Valteri (8 fjalime), Andi Përmeti (8 fjalime), Kujtim Gjuzi (8 fjalime), Enver Roshi (8 fjalime), Lefter Maliqi (8 fjalime) dhe Ralf Gjoni (8 fjalime), të gjithë prurje të reja në parlament gjatë periudhës mars-qershor 2019, pra në pamundësi për të qenë pjesëmarrës në 24 seancat plenare, si pjesa tjetër e deputetëve në listën e më aktivëve në parlament.
Në raportin e ISP-së janë 22 deputetë të heshtur. Lista e deputetëve që nuk kanë mbajtur asnjë fjalim në 24 seancat plenare ku kanë marrë pjesë plotësisht apo pjesërisht.
Në listë bëjnë pjesë kryesisht deputetë të rinj të ardhur rishtas në parlament dhe pa përvojë parlamentare, por bie në sy dukshëm ekzistenca në listë e disa deputetëve me më shumë se dy mandate parlamentare, të cilët bëjnë pjesë tek “të heshturit” në parlament gjatë 2019. Të tillë janë sidomos deputetët Tom Doshi e Lefter Koka, Ylli Shehu e Anduel Xhindi, Paulin Sterkaj e Andrea Marto, si dhe “prurjet” e reja të PS më 2017, deputetët Rrahman Rraja e Ilir Ndraxhi dhe Gjetan Gjetani. Nga deputetët e rinj të ardhur gjatë pranverës në parlament gjenden kryesisht emra pa përvojë parlamentare, por me përvojë në partitë e vogla politike ose në angazhime të tjera ekzekutive dhe publike. Midis emrave bën pjesë edhe deputeti Adriatik Alimadhi, i cili ka pasur një replikë në Parlament, por që zyrtarisht figuron si deputet pa fjalime në Parlament.
Gjatë sesionit të fundit Kuvendi ishte larg të përmbushurit të funksionit kontrollues ndaj
qeverisë dhe institucioneve të tjera. Të gjitha nismat e qeverisë morën lehtësisht miratimin e
Kuvendit. Përpjekjet e deputetëve të rinj për të zhvilluar interpelanca, apo për të ushtruar
instrumente kontrolli kushtetues, nuk patën ndikim në këtë proces. Kuvendi e mbylli sesionin
duke iniciuar një proces më shumë politik sesa kushtetues për shkarkimin e Presidentit të
Republikës, i pari proces i iniciuar prej vitit 1991 në Shqipëri. Kjo cilësohet si nisma e parë në historikun e Parlamentit, ndërsa theksohet se presidenti Meta si pasojë e përshkallzimit të konfliktit i ka kthyer mbrapsht 13 ligje.
22 deputetë që nuk folën në Parlament
Alban Zeneli
Edmond Rrushi
Edmond Stojku
Eugen Bojaxhi
Gjetan Gjetani
Lefter Koka
Tom Doshi
Amra Borova
Enada Kapllani
Ylli Shehu
Adriatik Alimadhi
Koçi Tahiri
Ramazan Gjuzi
Andrea Marto
Anduel Xhindi
Ardit Konomi
Artemis Dralo
Elio Hysko
Ilir Ndraxhi
Paulin Sterkaj
Rrahman Rraja
Nikolin Stajka
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.