Politike

Franca nis debatin që mund të përcaktojë fatin e negociatave për Shqipërinë

Parlamenti francez nis këtë të hënë një debat të nxehtë sa i takon politikës së brendshme. Bëhet fjalë për emigracionin dhe azilkërkuesit. Diskutimet do të zhvillohen mbi bazën e një dokumenti të dorëzuar në Asamble, dhoma e parë e Parlamentit francez, nga Ministria e Brendshme franceze.

Dokumenti përmban gjashtë pika dhe në thelb ka hedhjen për diskutim përpara ligjvënësve nëse Franca duhet të ashpërsojë ligjet kundër emigracionit të paligjshëm dhe azilkërkimit, apo jo. Për këtë çështje, Presidenti Emmanuel Macron ka kërkuar nga deputetët një “debat pa tabu”, duke u shprehur i gatshëm për të mirëpritur çdo propozim, ngado që mbërrin, por me kushtin që të jetë brenda kuadrit të Kushtetutës franceze dhe të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Në lidhje me këtë temë nuk mungojnë zërat kritikë edhe brenda partisë dhe koalicionit të Macron, nën presionin e të cilave Presidenti francez këmbëngul më parë në një reformim të Bashkimit Europian, pastaj të mendohet për zgjerimin.

Diskutimet në fjalë pak lidhen me çështjen e hapjes së bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por nga debati që do të zhvillohet, Presidenti Macron pritet që të masë pulsin e kundërshtarëve dhe të vetë deputetëve të partisë së tij për të krijuar një ide se çfarë vendimi duhet të marrë Franca në mbledhjen e Këshillit Europian pas pak ditësh.

Nuk parashikohet që Maqedonia e Veriut të hasë pengesa nga ana e Parisit, por për Shqipërinë gjërat ndryshojnë. Shqipëria dhe shqiptarët janë pjesë e diskutimeve të deputetëve francezë nisur nga përmbajtja e dokumentit të dorëzuar nga Qeveria, ku ngrihet shqetësimi i nivelit të lartë të numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria përgjatë vitit 2018.

Dokumenti të cilin Gazeta “Si” e disponon, thotë se pavarësisht se Shqipëria konsiderohet një vend i sigurtë origjine, ka një nivel shqetësuese emigrantësh të paligjshëm dhe azilkërkuesish shqiptarë në Francë. Pjesa dërrmuese e tyre citojnë arsye ekonomike të kërkesës. Kjo vë në lëvizje autoritetet franceze për të provuar pretendimet e azilkërkuesve. Por, ligji francez u garanton atyre disa të drejta deri në marrjen e përgjigjes dhe mes tyre është edhe një pagesë mujore që varion sipas zonave ku është kërkuar azili.

Një prej pikave kërkon heqjen e këtyre përfitimeve. “Duhet të sigurohemi që Franca të mos jetë as më pak mikpritëse dhe as më shumë tërheqëse sesa vendet e tjera të Bashkimit Europian sa u takon azilkërkuesve”, thotë ministri i Brendshëm francez, Christophe Castaner.

Castaner priti në fund të muajit mars homologun e tij shqiptar, Sandër Lleshajn. Një prej temave të diskutuara ishin pikërisht azilkërkuesit. Sipas njoftimit për shtyp të shpërndarë në frëngjisht nga ambasada shqiptare në Francë, Castaner vlerësoi faktin se në krahasim me 2017 kishte një ulje me 25 për qind të azilkërkuesve nga Shqipëria, por theksoi se duhet ende më shumë punë për ta parandaluar këtë fenomen.

Sipas shifrave të publikuara nga institucionet franceze, shqiptarët renditen të dytët me kërkesat për azil, menjëherë pas afganëve, ndërkohë që rritjen më të fortë për 2018 e kanë pasur kërkesat e shtetasve gjeorgjianë.

Pas diskutimin në Asamble, dokumenti dhe propozimi i qeverisë franceze do të kalojë në Senat për t’u shqyrtuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë