Ngjarje

Parku i Lurës vijon në flakë prej disa ditësh, 3 vatra të tjera aktive në Himarë, Fier dhe Bulqizë

Nga Gazeta Si- Parku Kombëtar i Lurës prej 3 ditësh është nën pushtimin e flakëve, ku zjarri ka djegur sipërfaqe të konsiderueshme.

Ministria e Mbrojtjes tregon se në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut të Lurës, dy vatra janë ende aktive, njëra në krahun e Gurë Lurës, dhe zona tjetër afër kanalit të ujit të HEC-it, e cila konsiderohet e izoluar dhe është nën monitorim.

Ndërkohë 3 vatra të tjera zjarri janë ende aktive, nga 24 të regjistruara në 24 orët e fundit. Në Bulqizë, në zonën e “Malit të Peladhisë”, vijon puna për shuarjen e një vatre të riaktivizuar. Deri tani janë përfshirë rreth 32 hektarë me shkurre dhe barishte. Zjarri është aktiv vetëm në një vatër mbi fshatin Vlash.

Në Fier, në zonën Drenovë–Gorishovë, vatra e zjarrit vijon të jetë aktive, ku për shkak të terrenit të thyer dhe përhapjes së shpejtë të flakëve, kontrolli i situatës ka qenë i vështirë.

Në Himarë, në fshatin Borsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore.

Si pasojë e zjarreve janë djegur mbi 154 hektarë me shkurre dhe bimësi, si dhe më shumë se 3,000 rrënjë ullinj.

Instituti i Gjeoshkencave njofton se nuk priten reshje, ndërsa rreziku për zjarre mbetet i lartë në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë