Ka ndodhur

Parku i Divjakës me pagesë, banorët largojnë kabinën dhe traun mes protestave

Gazeta Si – Vendosja e kabinës dhe e traut në parkun Divjakës në zonën e Lagunës së Karavastasë, ka shkaktuar protestën e banorëve këtë të enjte.

Turma e protestuesve u përplas me policinë për heqjen e kabinës dhe traut, e cila u largua prej andej.

Ata janë kundër vendosjes së kabinës së biletarisë në rrugën hyrëse të plazhit dhe parkut. Për të disatën herë ata kundërshtuan të paguajnë një tjetër taksë për të shkuar në plazh.

Protestuesit mbanin në duar pankarta ndër të cilat lexohej dhe “Mos luani me atë që nuk e preku sa Gjermani”, “Fëmijët tanë duan oksigjen”.

Sipas tyre, pylli i Divjakës u mbrojt nga banorët nga djegia dhe shkatërrimi edhe i vitit ‘97, ndaj shtimi i një tjetër takse rëndon më tepër ekonominë e qytetarëve vendas.

Pagesa në rrugën hyrëse është e ndryshme për mjetet dhe 50 lekë për qytetarët e Divjakës.

Ministria e Turizmit ka vendosur që trau të jetë në hyrje të rrugës së vetme që të çon për në plazh, ndaj banorët duhet të paguajnë taksën prej 50 lekësh sa herë të kalojnë në zonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë