Trashëgimi

Parizienët dhe ballkonet, mes dashurisë, vetmisë dhe vëzhgimit

Për parizienët, ballkoni ka qenë gjithmonë më shumë sesa një vend për të dalë. Është një mënyrë për të qenë pjesë e qytetit pa u zhytur në të. Është një mënyrë për të parë, për të menduar, për të qenë...

Nga Gazeta “SI”– Nga të gjitha klishetë që mbart qyteti i dritave, asnjë nuk përfaqëson shpirtin parizien më bukur sesa ballkoni. Jo vetëm si element arkitektonik, por si skenë e përditshme ku qyteti interpreton vetveten. Në Paris, ballkoni nuk është thjesht një zgjatim i dhomës, por një vend për reflektim, flirt, kafe, apo thjesht për të vëzhguar botën që kalon poshtë.

Në mëngjes, mund të shohësh një parizien me flokë ende të çrregullt, me kafe në dorë, të mbështetur në kangjellat prej hekuri të punuar me finesë, duke lexuar një gazetë ose thjesht duke parë përtej çative. Në mbrëmje, i njëjti ballkon shndërrohet në një oaz të vogël vere e bisedash të heshtura. Ballkonet pariziane janë gjithashtu pjesë e kulturës vizuale  nga pikturat impresioniste te fotografitë bardh e zi, ato janë simbol i një jete të jetuar me elegancë dhe distancë.

Ajo çka i bën të veçanta nuk është madhësia ku shpesh janë të ngushta, të vogla, me vend sa për një karrige e një vazo me livando  por mënyra si përdoren. Janë teatrale, intime, por gjithmonë me një dozë të lehtë përçmimi ndaj kaosit të rrugës.

Në një epokë ku privatësia sfidohet nga ritmi i shpejtë i jetës urbane, ballkoni parizien mbetet një hapësirë ku njeriu mund të jetë vetja  por gjithashtu të shihet. Dhe ndoshta, pikërisht kjo e bën lidhjen mes parizienëve dhe ballkoneve të tyre kaq të pathyeshme: një ekuilibër i përkryer mes vetmisë dhe vëzhgimit, mes intimes dhe publikes.

Në Paris, gjithçka ka një skenografi. Rrugët, dritaret, dritat  dhe mbi të gjitha, ballkonet. Askund tjetër në botë një pjesë e tillë arkitekture nuk ka fituar një status kaq poetik dhe shoqëror. Por kjo lidhje midis parisienëve dhe ballkoneve të tyre nuk është e rastësishme por është një rrjedhë estetike dhe historike që nis në shekullin e 19-të dhe vazhdon, me shumë stil, deri sot.

Haussmann dhe rishpikja e Parisit

Në mesin e shekullit XIX, nën drejtimin e perandorit Napoleon III dhe arkitektit Georges Eugène Haussmann, Parisi u transformua rrënjësisht. Rrugicat mesjetare u zëvendësuan me bulevarde të gjera dhe ndërtesa elegante me fasada simetrike. Një nga elementët kryesorë të këtij “Paris haussmannien” ishte ballkoni prej hekuri të punuar. Në katin e dytë, shpesh me ballkon të gjatë, që bashkonte dritaret në një linjë të vetme,  i ashtuquajturi “balcon filant”  qytetarët e klasës së mesme dhe të lartë shfaqnin stilin, statusin dhe mënyrën e tyre të jetesës.

Ballkoni nuk ishte vetëm për dekor. Ai ishte vendi ku damat e qytetit thithnin ajrin e mëngjesit, ku njerëzit shihnin paradat, dhe ku në një kohë pa rrjete sociale  ndodhte “vëzhgimi social” , vështrimet kureshtare, përshëndetjet e ndrojtura, flirtet e heshtura.

Ballkoni modern: nga jehona e historisë te hashtag-u #balconlife

Në vitet e fundit, ballkoni parizien ka gjetur një jetë të re në rrjetet sociale. Gjatë pandemisë së COVID-19, ballkoni u bë sërish hapësira kryesore e jetës sociale: aty u duartrokitën mjekët çdo mbrëmje, u interpretuan mini koncerte, dhe njerëzit u ndjenë të bashkuar përmes distancës.

Por për parizienët, ballkoni ka qenë gjithmonë më shumë sesa një vend për të dalë. Është një mënyrë për të qenë pjesë e qytetit pa u zhytur në të. Është një mënyrë për të parë, për të menduar, për të qenë…

Burimi: Le Monde


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë