Shendet

Paris, farmacitë prodhojnë kapsula amoksiciline

Ka dy javë që në Francë rreth 40 farmaci kanë filluar prodhimin e kapsulave të antibiotikut amoksicilinë për fëmijët, ndërsa vendi përballet me mungesa të barnave. Dhjetorin e vitit 2022 farmacitë në Britani dhe Francë njoftuan se po u mbaronin rezervat e antibiotikëve kyç ndërsa ato vende përballen me infeksione virale dimërore.

Me kërkesë të qeverisë franceze farmacia Delpech në Paris ka filluar prodhimin e kapsulave të antibiotikut amoksicilinë. Çdo ditë pas punës ata prodhojnë ilaçe për të furnizuar rreth 5,000 farmaci në të gjithë Francën.

Prodhimi i amoksicilinës është një proces i thjeshtë, por industritë farmaceutike janë përballur me ulje të prodhimit. Fabien Bruno është farmacist dhe pronar i farmacisë Delpech në Paris.

“Kemi mbajtur maska gjatë dy viteve të fundit, kështu që njerëzit nuk gëzojnë imunitetin normal kur flasim për mënyrën se si reagojnë ndaj sëmundjeve, pasi ishim të tejmbrojtur. Ky është dimri i parë pa maska, ndaj jemi më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve”.

Ilaçi amoksicilinë, i blerë në formë pluhuri në Spanjë, ndahet në dozat e duhura për fëmijët dhe paketohet në shishe të vogla plastike sipas porosive.

Amoksicilina është një antibiotik i zakonshëm që përdoret për trajtimin e shumë sëmundjeve të mushkërive, infeksioneve të veshit ose gripit.

“Objektivi i vendosur nga qeveria franceze është që të prodhojmë rreth një të tretën e nevojave për pediatrinë. Çka do të thotë të prodhojmë rreth 100,000 trajtime me amoksicilinë”, thotë pronari i farmacisë, mjeku Fabien Bruno.

Prodhimi në shkallë të vogël pritet të zgjasë deri në fillim të marsit pasi industria farmaceutike duhet të rifillojë punën për prodhimin e sasive të mjaftueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë