Mesfushori i Ganës dhe Fiorentinës, Kevin Princ Boateng, në një intervistë për gjermanen “Bild”, është shprehur kundër ndryshimeve që janë bërë në futbollin e sotëm. “Është vetëm një biznes dhe ne jemi thjesht numra. Nëse nuk shkon mirë, zëvendësohesh, nuk ka më besnikëri”, – thekson mes të tjerash Boateng.
Ish-lojtari i Milanit e percepton futbollin ndryshe nga disa vjet më parë. Futbolli, sipas tij, ka ndryshuar për shkak të parave të shumta që e kanë kontaminuar sportin më të dashur jo vetëm për ganezin, por për të gjithë. “Gjithë këto para janë një mallkim, – thekson ai në intervistën e dhënë për “Bild am Sonntag” – Është shumë e trishtueshme kjo situatë, nuk flitet më për besnikëri në futboll”.
Futbolli, sipas Boateng, nuk është më një lojë. “Ndoshta duhet bërë një sondazh për të kuptuar se sa futbollistë janë të kënaqur të shkojnë në stërvitje, sa prej tyre argëtohen, – thotë Boateng. – Natyrisht, futbolli për profesionistët është një punë, por është kaq shumë i paguar se kthehet në stres dhe presioni është jashtëzakonisht i madh. Dhe kështu flitet shpesh për depresion dhe gjëra të kësaj natyre. Ka momente që argëtohem dhe momente që nuk argëtohem. Më parë argëtohesha gjithmonë”.
Në mënyrë të veçantë, Boateng mendon se futbolli-biznes është një e keqe e madhe për më të rinjtë. “Më vjen keq kur shoh të rinjtë që nuk mund ta përjetojnë si duhet talentin e tyre. E di shumë mirë se çfarë do të thotë ta çosh dëm talentin. Disa prej tyre, në moshën 19-vjeçare kanë një Mercedes, marrin një pagë dhe kënaqen. Kanë gjithë atë talent dhe nuk bëjnë asgjë, asnjë stërvitje ekstra, asgjë. Luajnë “Play Station” dhe postojnë në Instagram. Vijnë të fundit në stërvitje dhe largohen të parët. Dikur e bëja edhe unë, por në futbollin e sotëm nuk mund t’ia lejosh vetes”.
Sulmuesi i Fiorentinës pranon se ka bërë disa gabime në të shkuarën dhe se ka ndonjë peng. “Do të doja të mos bëja asnjë tatuazh. Sot je më i bukur, nëse nuk ke tatuazhe, sepse të gjithë të gjithë e kanë trupin të pikturuar”, – shton Boateng. Bota në përgjithësi po ndryshon, ashtu si futbolli dhe ganezit nuk i pëlqen rrugës që ka marrë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.