Seanca parlamentare e kësaj të hëne i shërbeu Kryeministrit Edi Rama që të fliste për tre çështjet që ai kishte në plan, masat kundër koronavirusit, rindërtimi dhe amnistia e re fiskale e penale e shpallur.
Nga foltorja e Parlamentit, kryeministri Edi Rama dha sqarim në detaje në lidhje me amnistinë e re fiskale, duke deklaruar se ajo do të ofrohet kundrejt një takse, që e cilësoi si të favorshme për subjektet e aministisë.
“Amnistia do të jetë me një komision, një taksë që do të jetë shumë e favorshme, sikur është në të gjitha amnistitë fiskale dhe penale për t’u përdorur përsëri për investime për njerëzit. Amnistia do të konsultohet dhe do të vijë shumë shpejt në Parlament”, tha Rama.
Kryeministri tha se pjesë e përfituesve do të jenë emigrantët që kanë punuar me mund e me djersë, biznesi i vogël dhe i madh që nuk i ka të deklaruar paratë, apo asetet e tyre për arsye të ndryshme.
“Këtu dua ta kenë të gjithë parasysh, që ne po përgatitemi të hymë në një tjetër nivel, që lidhet me nevojën që ka vendi, por dhe me përputhjen e sistemit të kontrollit me sistemin europian të kontrollit, që do të kërkohet që të regjistrohen, të deklarohen këtu në Shqipëri, të gjitha asetet dhe të ardhurat që shqiptarët kanë jashtë vendit dhe shteti shqiptar do të ketë detyrimin, por dhe kapacitetin falë koordinimit me të tjerët, për të kontrolluar të ardhurat dhe asetet e shtetasve të vet jashtë vendit. Kështu që kjo është një thirrje, në radhë të parë, për të gjithë ata që janë biznesmenë me të ardhura të konsiderueshme, që kanë asete jashtë vendit, që t’i deklarojnë duke përfituar nga amnistia dhe të mos bëjnë shaka që mund t’i kushtojë shumë shtrenjte pas përfundimit të amnistisë”, theksoi Rama.
Amnistia fiskale dhe penale nuk do të zbatohet ndaj politikanë, gjyqtarëve, prokurorëve dhe atyre zyrtarëve që janë pjesë deklarimit të pasurisë.
“Paratë nga krimi janë të paamnistueshme, ashtu si të politikanëve, të rrethit të tyre familjar, të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe punonjësve të shtetit që janë subjekt i deklarimit të pasurive. Nuk mund të legalizohen asnjëherë këto para apo asetet e tyre”, theksoi Rama.
Gjithashtu kreu i mazhorancës qeverisëse bëri të ditur se pas mbarimit të afatit të amnistisë së re, që duhet të kalojë me 84 vota në Parlament, çdo pasuri tjetër do të jetë objekt i ligjit dhe do të deklarohet si kriminale. Me këtë paketë do të t’i jepet mundësi që edhe ato persona që kanë pasuri të paluajtshme në emra të tjerë ta kthejnë në emrin e tyre.
“Mbasi mbaron ky afat, çdo para e aset konsiderohet si aset dhe para kriminale. Nuk ka më asnjë tolerancë të mundshme nga shteti, po përgatitemi të hyjmë në një tjetër nivel që ka vendi, por edhe me sistemin europian i kontrollit, ku do të deklarohen të gjitha asetet që shqiptarët kanë jashtë Shqipërisë. Për të kontrolluar të ardhurat e asetet e shtetasve të saj jashtë vendit”, deklaroi Rama.
Pse OFL nuk merret me politikanët?
Kryeministri gjatë fjalës së tij i ka dhënë përgjigje edhe ndaj reagimeve që kanë në popull se pse OFL nuk merret me politikanët dhe me gjyqtarët? Për këtë shqetësim, ai theksoi se OFL-ja është një strukturë që merret me ato persona që kanë një vendim gjykate.
“Sqaroj se OFL ka objekt të ofensivës së vet persona që e kanë kryer procesin gjyqësor. Pra persona të dënuar, ndërkohë që politikanët dhe gjykatësit, apo prokurorët janë subjekt i deklarimit të pasurive prej vitesh dhe i takon drejtësisë që të shohin për çdo rast sipas nevojave të tyre për hetime burimin e pasurisë së politikanëve apo gjykatësve. Askush nuk do të shpëtojë nga rrjet e OFL dhe e drejtësisë e lidhur me asetet e vëna me krim, por natyrshëm kjo ka krijuar një pasiguri e cila nuk ka bazë, sepse OFL nuk ka subjekt të veprimtarisë së vet askënd përveç atyre që kanë kryer krimet e parashikuar në ligj, por ama duke e ditur të gjithë ata që janë shqetësuar se kanë para të fituara nga puna në të zezë se kanë asete të padeklaruara janë vënë në një lloj pasigurie.”, deklaroi Rama. Por shefi i qeverisë nuk ngurroi që të këto do të jenë edhe masa të reja, duke mos u ndalur me këtë paketë dhe se kërkoi mirëkuptimin me këtë nismë, për të mos u ndarë në parti dhe në individë, duke e votuar me 84 vota.
“Amnistia do të përjashtohen ata që i kanë të ardhurat e tyre nga krimi dhe amnistia do të jetë fiskale dhe penale dhe do të votohet me 84 vota që nuk do ketë shans që të vijë njeri ta kthejë për arsye politike. Të gjitha ata që paratë i kanë nga krimi janë pa amnistueshëm. Po ashtu të pa amnistueshëm të ardhurat e politikanëve dhe të rrethit familjar, të gjykatësve, të prokurorëve dhe rrethit të tyre familjar, të punonjësve të policisë dhe rrethit familjar si dhe drejtuesve të shtetit që janë subjekt i deklarimit të pasurive. Paratë e këtyre kategorive që janë subjekt i deklarimit të pasurive nuk mund të legalizohen nëse vijnë nga veprimtaria e paligjshme”, theksoi kryeministri.
Duke vlerësuar punën e bërë nga SPAK, Rama kërkoi që kjo strukturë e posaçme të merret me ata gjyqtarë e prokurorë që janë përjashtuar nga vettingu dhe të hetojnë mbi pasuritë e tyre të deklaruar dhe të rezultuara si të pamjaftueshme. Të amnistuarit do të kenë një taksë normale të bazuar sipas legjislacioneve ndërkombëtare. Ndërsa shtoi se do të shkërmoqet oligarkia më e madhe që është ajo e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Koronavirusi dhe rindërtimi
Sa i përket çështjes së Koronavirusit, Kryeministri Rama u shpreh se në Shqipëri nuk ka asnjë rast, si dhe i ftoi njerëzit që të mos dëgjojnë lajmet e mediave online që për klikime flasim vetëm për vdekje. Nga të dhënat e ofruara numri i të vdekurve nga 3% ka rënë në 2,3% në botë dhe se më të prekurit janë ato që janë në moshë madhore dhe që janë me sëmundje kronike. Një tjetër apel i Ramës ishte edhe që të mos blejnë maska, ato duhet të përdoren vetëm nga personat që janë të prekur dhe jo nga njerëzit normalë, e që bëhen vetëm për përfitime nga firmat që i prodhojnë ato.
Çështja e tretë që Rama u fokusua ishte për rindërtimin, ku theksoi se 400 studentë të fushës do të ingranohen në këtë proces për t’u trajnuar. Ndërsa theksoi se ka vende të reja pune, por që nuk shqiptarët duan punë në shtet.
“Në administratë do të punojnë vetëm nxënësit ekselecnës dhe ato që kanë studiuar jashtë dhe që kanë një përvojë të mirë do të punësohen në shtet. Do t’u mbyllet rruga atyre që duan punësime partiake, apo me njohje dhe me ryshfet”, theksoi Rama.
Gjithashtu shefi i qeverisë bëri të ditur se do të negociojë me firmat që do të rindërtojnë në zonat e prekura nga tërmeti që punonjësit të paguhen me një pagë mesatare 420 euro, duke përfshirë edhe sigurimet. Sakaq shtoi se për shkak të mungesës së punëtorëve të krahut dhe me eksperiencë në fushën e ndërtimit do të punonjës shtetas të thuaj dhe se për këtë është ndryshuar së fundmi edhe ligji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.