Viti 2021, edhe pse pritet të jetë më i mirë se ai që lamë pas, nuk do të jetë afër me normalitetin para pandemisë. Pavarësisht programeve të vaksinimit, të nisura në shumë vende do të jetë e vështirë që vendet të lehtësojnë plotësisht kufizimet.
Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Turizmit, shprehet se konsulentët globalë të turizmit kanë nënvizuar se ndoshta vera e vitit 2022 do të shënojë pikën e kthesës drejt normalitetit. Ndërsa rimëkëmbja e plotë do të kërkojë 3-5 vjet. Vendeve ndërkohë do t’ju duhet të notojnë në ujërat e pasigurta që sjell pandemia dhe të përpiqen të mbijetojnë në bazë të mundësive që kanë. Shqipëria do të ketë në bazë të saj turizmin patriotik.
Si e shihni sot situatën e përgjithshme të turizmit në kushtet ku ndodhemi një vit pas pandemisë?
BiznesAlbania, me mbështetjen teknike të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) dhe në partneritet me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka zhvilluar një anketim me temë: “Ndikimi i Pandemisë COVID-19 tek Ndërmarrjet në Shqipëri” duke nxjerrë në pah një situatë alarmante.
Nga anketimi, sektori i mikpritjes është më i godituri, 31% e ndërmarrjeve nuk janë funksionale dhe 40% funksionojnë vetëm pjesërisht. Ky sektor ka numrin më të lartë të ndërmarrjeve jofunksionale, pasi kanë qenë të detyruara të mbyllen, për shkak të kufizimeve të vendosura në kuadrin e gjendjes së jashtëzakonshme, masave të Protokollit COVID-19 dhe VKM.
Sipas anketimit – në sektorin e mikpritjes janë prekur nga kriza të gjitha kompanitë, pa asnjë përjashtim, 41%, parashikojnë një periudhë të gjatë rimëkëmbjeje, 72% e tyre kanë pësuar rënie të lartë të të ardhurave / shitjeve, 75% e tyre kanë reduktuar numrin e fuqisë punëtore në mënyrë të konsiderueshme. Perspektivat e shkurtimeve të vendeve të punës janë shqetësuese.
Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve nga sektori i mikpritjes (78%), konfirmojnë planin për të larguar punonjësit gradualisht. Ndër sfidat erRënda të ndërmarrjeve të sektorit, renditen: 74% e tyre kanë deficit të kapitalit të punës, 65% e tyre kanë kërkesë të ulët për produkte / shërbime dhe 35% vuajnë nga paaftësia e partnerëve për të punuar normalisht. Konkluzionet flasin për një zgjidhje afatgjatë. Turizmi shqiptar ka nevojë për një program rikuperimi sipas rekomandimeve ndërkombëtare dhe për masa më të thelluara në mbështetje të tij.
Sektori në tërësi globalisht sheh shpresën e rimëkëmbjes tek vaksina. Vendet që kanë përparësi turizmin e shohin vaksinimin në mënyrë edhe më emergjente. Si e shihni situatën e përgjithshme globale të sektorit në kontekstin e vaksinës dhe situatën e Shqipërisë?
Turizmi i vaksinave është vërejtur prej disa javësh në Shtetet e Bashkuara. Sipas së përditshmes britanike The Guardian, gati 50,000 doza u injektuan tek turistët ose banorët sekondarë mbi 65 vjeç në Florida. “Shkoni në një udhëtim me shpresën për t’u vaksinuar më herët sesa ishte planifikuar” tashmë, është një koncept i ri turistik.
Teza për një Pasaportë Vaksinimi për të udhëtuar lirisht është një çështje e propozuar dhe organizmat e BE-së po e shqyrtojnë me kujdes. Ballkani Perëndimor, ku përfshihet dhe Shqipëria do të ketë mundësi vaksinimi të kufizuara. Të shpresojmë se do të përfundojë deri në fillim të pranverës 2022.
Ju vetë çfarë skenarësh apo mundësish shihni për Shqipërinë?
Po përgatitemi për një rrugë të gjatë. Këshillat që japin Kompanitë Globale të Konsulencës, për fushën e Turizmit janë të zymta: “Përgatituni për verën e 2022”.
Cilat duhet të jenë disa nga masat që qeveria duhet të marrë për ta ndihmuar sektorin e turizmit?
Jemi të detyruar të përballojnë – një krizë të mungesës së të ardhurave – një mori barash ekonomike dhe administrative, të tilla si kredi apo qira mujore, taksa e tatime të llojeve të ndryshme, furnitorë dhe konsulentë, mirëmbajtje të objekteve, politikat e sigurimit, etj.
Duke parë me realizëm gjendjen e Industrisë Turistike dhe Udhëtimeve në Shqipëri, si dhe vështirësitë me të cilat ajo po ballafaqohet për shkak të COVID-19, kemi kërkuar nga qeveria, në mënyrë të qëndrueshme, disa lehtësi të mundshme për t’u zbatuar në kuadër të mbijetesës:
- Taksa e Ndërtesës dhe Reklamës për Sipërmarrjet Turistike të hiqet për vitin 2020 dhe të përgjysmohet për vitin 2021. Pas një Protokolli penalizues dhe VKM që kanë kufizuar shërbimet kryesore si: konferencat, organizimet festive, përdorimin e ambienteve të mbyllura, etj., duke detyruar të punojmë me kapacitete të reduktuara, është e paarsyeshme të kërkohet të paguhet kjo taksë.
- Shtyrja e kredive deri në fund të 2021 për industrinë e Turizmit & Udhëtimit.
Riskedulim, me kushte të qarta, jo Ristrukturim brenda afateve ekzistuese.
Urdhëresat e Bankës së Shqipërisë, vetëm duke rekomanduar bankat, janë të pamjaftueshme. Rajoni ka subvencionuar interesat e kredive të Industrisë dhe grace period dy vjet.
- Kredia për pagat (mars/prill/maj) nuk funksionoi si duhet, ajo u akordua për periudhën që hotelet ndërprenë aktivitetin. Kërkojmë shtrirjen e saj në kohë.
- Grante dhe politika stimuluese për të siguruar mbijetesën e industrisë. Subvencione për sigurimet e punonjësve të industrisë duke përfshirë ata që kanë humbur vendet e punës.
A shihni ndonjë zhvendosje të segmenteve të turizmit në vetvete për shembull nga hotelet te natyra, nga grumbullimet masive te parqet kombëtare. A do të jenë këto tendenca që po përvijohen globalisht tipike edhe në vendin tonë?
Sondazhi më i fundit i 11 shkurtit 2021, “Këshilla për Qëllimin e Udhëtimit”, kryer nga Shoqata e Udhëtimeve të ShBA-së dhe MMGY Global tregoi se rreth 50% e udhëtarëve amerikanë, po planifikojnë të vizitojnë familjen dhe miqtë në udhëtimin e tyre të parë këtë vit, por shumica dërrmuese, me makinë. Rreth 40% e udhëtarëve amerikanë nuk planifikojnë të udhëtojnë para se të ketë shpërndarje të vaksinave, 60-70% e njerëzve thanë se një formë e vaksinimit, do të përmirësonte gjasat e rezervimit të një pushimi në 6 muajt e ardhshëm. Udhëtarët ndihen më pak të sigurt në fluturimet ndërkombëtare dhe lundrimet.
Kjo mund të sinjalizojë që udhëtimi ndërkombëtar dhe lundrimi do të jenë ndër segmentet e fundit të udhëtimit për t’u rikthyer në nivelet e mëparshme. Udhëtimet rrugore dhe vizitat në parqet kombëtare do të ishin forma e udhëtimit që preferojnë të bëjnë.
Edhe në Shqipëri do të kemi të njëjtën tendencë lëvizje, me shumë pushime të shkurtra, lëvizje me mjetet personale brenda familjes së ngushtë, turizëm në natyrë dhe parqe natyrore jo larg vendbanimit, pushime në hotele, vila e apartamente me 1-2 net-qëndrime.
Cilat do të jenë pushimet e projektuara post-pandemike në këndvështrimin tuaj?
Parashikohet përsëri një cikël i mbyllur brenda Ballkanit Perëndimor, turizëm patriotik dhe turizëm i brendshëm gjithëvjetor. Vaksinimi i popullsisë botërore do të zgjasë përtej parashikimit, gjë që e bën të pamundur rifillimin e lëvizjes normale.
Kthimi në normalitet i Industrisë së turizmit & udhëtimit parashikohet nga ekspertët ndërkombëtarë, pas një periudhe 3-5 vjet. Alarmin e japin statistikat. Spanja, duke u nisur nga numri i ulët i net-qëndrimeve të turistëve të huaj, është kthyer në vitet ‘90, kurse Austria në vitet ‘70.
Ndoshta të mësuarit me gjendjen e pandemisë, ulja e agresivitetit, informacioni më i plotë mbi përhapjen dhe rënia e disa miteve për mënyrat e infektimit, janë efekte që mund ta thjeshtojnë në njëfarë mase lëvizjen dhe turizmin, por do të na shoqërojë në dy vitet e ardhshme.
Intervistë me shkurtime nga revista ‘Monitor”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.