Ekonomi

Parashikimi i BB: Borxhi publik i Shqipërisë do të mbetet 75% të PBB në periudhën afatmesme

Borxhi publik i vendit është rritur me shpejtësi në dy vitet pandemike, dhe tani kur vala e çmimeve po shënon shtrenjtim të fortë me pasoja jo qartësisht të parashikueshme, rritja e normave të interesit mund të ushtrojë presion për shtim të mëtejshëm të borxhit.

Banka Botërore në projeksionet e vjeshtës parashikon që borxhi publik në Shqipëri do të mbetet i lartë në periudhën afatmesme për të arritur në 74.9% në vitin 2023.

Zgjerimi i deficitit buxhetor me më shumë se 1 miliardë euro këtë vit pritet të çojë borxhin publik në 78.6% të PBB-së me 2021. Më tej është parashikuar rënie me 76.7 për qind në vitin 2022 dhe 74.9% në vitin 2023.

Parashikimet e Ministrisë së financave të azhurnuara në kuadrin makroekonomik janë që borxhi publik neto të jetë 72.8 për qind e PBB-së në fund të vitit 2023, ndërsa në programin e qeverisë për mandatin e tretë u tha se në fund të mandatit të tretë do të jetë 60%.

Stoku i borxhit publik u rrit me mbi 394 milionë euro në 6-mujorin e parë, në krahasim me fundin e vitit 2020. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave raportojnë se stoku i borxhit arriti në 1,273 miliardë lekë në fund të qershorit 2020, duke u rritur me 49 miliardë lekë, në krahasim me fundin e vitit 2020.

Rritja ka qenë më e madhe për borxhin e brendshëm, me rreth 40 miliardë lekë dhe rreth 9 miliardë lekë për borxhin e jashtëm.

Për shkak të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe krizës së pandemisë, qeveria shqiptare rriti borxhin publik në përqindje më shumë se vendet e tjera të rajonit. Vitin e kaluar borxhi u rrit rreth me 12 pikë për qind të PBB-së.

Në korrik të këtij viti, qeveria ndryshoi me akt normativ buxhetin 2021, duke zgjeruar sërish borxhin publik nëpërmjet rritjes së deficitit buxhetor në 120 miliardë lekë (rreth 1 miliard euro) nga 108 miliardë lekë që ishte në fillim të vitit, duke e çuar totalin e detyrimeve rreth 1,3 triliardë lekë (afërsisht 80% e PBB-së së parashikuar në buxhetin fillestar).

Ky ndryshim zuri në befasi institucionet financiare ndërkombëtare dhe ekspertët e fushës, të cilët nuk prisnin kthesën e papritur të qeverisë për të financuar me borxh disa projekte afatgjata, të tilla si ndërtimi i Unazës së Re, Teatrit Kombëtar dhe Tunelit të Llogorasë ende pa sheshuar efektet direkte të dy krizave të fundit. Për më tepër, zgjerimi i borxhit u bë me akt normativ, duke thyer edhe rregullin fiskal që është përcaktuar në ligjin organik të buxhetit, i cili nuk lejon masa fiskale që rrisin borxhin në përqindje të PBB-së, përveçse në raste të jashtëzakonshme. (Monitor)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë